E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule vlerëson Presidentin Topi për rivendosjen e dialogut politik



Në fillim të vizitës së tij në Tiranë, komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fule, është takuar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në këtë takim, presidenti Topi vuri në dukje faktin se procesi i integrimit europian gëzon një mbështetje të gjerë në gjithë shoqërinë shqiptare dhe se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një shtysë e fortë për transformimin e vendit nëpërmjet kryerjes së reformave të guximshme dhe zbatimit me sukses të tyre. Me këtë rast, Presidenti i Republikës bëri një panoramë të disa prej këtyre reformave, duke u ndalur kryesisht tek ajo për reformimin e sistemit të drejtësisë. Kryetari i shtetit nënvizoi faktin se “shqiptarët janë të vetëdijshëm për përballimin e sfidave integruese në Bashkimin Europian dhe konfirmoi se në kuadër të paraqitjes së kandidaturës sonë për statusin e vendit kandidat, ne jemi të angazhuar maksimalisht për përfundimin e dorëzimin në kohë të pyetësorit të BE-së, duke shpresuar gjithashtu në përshpejtimin e liberalizimit të vizave, një proces me rëndësi të veçantë ky për qytetarët shqiptarë”. Në vijim të takimit biseda u përqendrua dhe në situatën aktuale politike në vend. Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht rivendosjen e dialogut politik institucional mes maxhorancës dhe opozitës dhe shprehu “besimin se me vullnetin politik të palëve dhe angazhimin serioz të tyre ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë”. Në këtë kontekst, presidenti Topi trajtoi dhe zhvillimin e tryezës politike mes drejtuesve të maxhorancës dhe të opozitës në Presidencë, që prodhoi edhe rihyrjen e opozitës në Parlament. Nga ana e tij, komisioneri Fule shprehu mirënjohjen dhe interesin e veçantë për këtë takim me presidentin Topi dhe vlerësoi rolin e tij për rivendosjen e dialogut politik institucional mes maxhorancës dhe opozitës në vend. Komisioneri Fule theksoi se sa më me saktësi dhe sinqeritet t’u përgjigjen autoritetet shqiptare Pyetësorit, aq më e qartë dhe objektive do të jetë panorama mbi bazën e së cilës Bashkimi Europian do të vlerësojë plotësimin e standardeve integruese të Shqipërisë, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirive thelbësore, shtetit të së drejtës dhe forcimit të demokracisë. Duke diskutuar për situatën politike, komisioneri Fule vuri në dukje rëndësinë e elementeve që përmbahen edhe në Deklaratën e përgatitur dhe bërë publike nga Komisioni para fillimit të vizitës në Tiranë, duke theksuar se në qoftë se ngërçi politik dhe situata aktuale vazhdojnë dhe mbeten të pazgjidhura, kjo do të ngadalësojë procesin e mëtejshëm të integrimit. “Bojkotet nuk kanë vend në demokracinë europiane”, – u shpreh komisioneri Fule, duke vënë në dukje se përgjegjësia do t’u mbetet udhëheqësve politikë nëse nuk do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje. Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim përsa i përket realitetit më të qetë, qëndrueshmërisë në Ballkan dhe rëndësisë së bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes vendeve të rajonit, pa përjashtim, me synim integrimin e plotë në gjirin e familjes europiane. Presidenti Topi e uroi zotin Fule “për detyrën e tij të re, sa fisnike aq edhe të vështirë”, duke i shprehur mirënjohjen për kontributin e veçantë dhe rolin e tij të rëndësishëm në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në NATO, duke shprehur bindjen dhe optimizmin se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësim sa më të shpejtë edhe zyrtarisht në Bashkimin Europian.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›