E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u realizua qitja me silurë në filmin “Ballë për Ballë”

Rrëfimet e ish shefit të armëve të nënujshme të Flotës në Pashaliman

Rafet Hysi

Vijon nga numri i kaluar

Shumëkujt mund ti kujtohen sekuencat e filmit “Ballë për Ballë”. Në atë kohë u realizua një stërvitje me qitje luftarake me silurë. Sigurisht, kush e ka parë filmin, është kënaqur me pamjet e paraqitura në veprimet komplekse dhe harmonike të katrave silurues dhe qitjes së bukur me silurë, që për efekt filmik, aparaturat e mbajtjes së silurës në thellësinë e dëshiruar ishin regjistruar në atë mënyrë që gjatë shoqërimit të lëvizjes së silurës në det, të dukej rruga e lëvizjes së saj, (gjurma të dukej bukur). Po, në fakt regjistrimi ishte bërë jo brenda kufirit të lejuar, që në rast të veçantë të shfaqjes së ndonjë defekti të mundshëm në mekanizmat e aparatit të thellësisë, silura të ishte në gjendje të dilte në sipërfaqe e si pasojë, të fitonte superxhiro që e çonte motorin drejt djegies përfundimtare. Në ato momente, të gjithë të tjerët ndjenin kënaqësi kur shikonin punën aq të mirë dhe harmonike të vetë silurës, por ama nuk e ndjenin e dinin shqetësimin që kishin në vetvete specialistët që dinin dhe ndjenin në çdo moment të lëvizjes së silurës edhe rrezikun e dështimit që mbarte në vetvete. Këto janë çaste emocioni dhe ankthi, që s’ka sesi të transmetohen pjesëmarrësve në to, po jo në shkallën e specialistit.
Në procesin vjetor të stërvitjeve në njësitë e flotës, vetëm stërvitje me qitje me silurë ka pasur deri 20-30 të tilla, edhe në gjithë këtë mori qitjesh ka pasur rezultate mbresëlënëse vetëm me dy përqind humbje, kur teorikisht ka qenë deri në dhjetë përqind. Pra, këto rezultate i dedikohen atij kujdesi të jashtëzakonshëm dhe disipline të fortë teknike që zbatohej në punë. Për çdo veprim, kryhej kontroll e raportim të 2-3 fishtë. Vetëm një punë e tillë mund të çonte në rezultate aq të dëshiruara nga gjithsecili specialist.

Një rast tjetër ka qenë një stërvitje me skuadriljen e Piro Kuçit nga Bud në Sarandë. Dalim në det pasdite vonë dhe lundronim drejt Gjirit të Vlorës. Me ne ishte edhe shefi i Shtabit të Flotës, Dashamir Ohri, komandant i Bazës, Perikli Xhixho, shefi i Hidrollokacionit të Flotës, Pertrit Çukalla e mjaft të tjerë. Qitja do të realizohej natën. Deti na priti me egërsi që në dalje. Para nesh ngriheshin dallgët dhe deti shkumëzonte nga bardhësia. Katër silurues që ngriheshin në kreshtat e dallgëve në momentin e rënies, si në një humnerë, kërcisnin në këmbët tona dhe ne ndjenim goditjen e rëndë të katër katerlisuruësve. Ne që e dinim rrezikun e kësaj pune, thoshim me vete: I lumtë konstruktorit që na ka lënë rezervë sigurie për të mos u çarë katri në dysh dhe ne të përfundonim ushqim për peshqit. Por, këto gjëra nuk thuhen e diskutohen në momente të tilla, ku duhet ruajtur qetësia e gjithë pjesëmarrësve e prishur ekuilibri për veprimet që na prisnin ti kryenim më vonë. Pasi kaluam gjithë hapësirën detare nga Saranda deri në Gjirin e Vlorës, arritëm më në fund tek pika e paracaktuar, ku bëmë një pushim për të marrë frymë, e në të njëjtën kohë, për të kryer kontrollet e nevojshme të teknikës e armatimit që iu ishin nënshtruar një sprove të madhe. Qëndrueshmëri në det të egërsuar.
Më në fund, u dha edhe sinjali nga Komanda e Drejtimit të Qitjes për të dalë në sulm; veprimet e mëtejshme ishin të pavarura. Qitja e realizuar natën me një ndjekje të saktë akustike dhe silura u kap mjaft shpejt, e qitja doli shumë e suksesshme. Pasi u mbyll gjithë procesi i qitjes u kthyem të gjithë, siç ishim, për ta festuar këtë ngjarje, për gëzimet e njëri-tjetrit, për suksesin e përbashkët.

Kam realizuar shumë qitje me silurë dhe kam bërë detyra të tjera me armët e nënujshme me komandantët e njësive: Petrit Myftiu, Ylli Lika, Robert Bali, Kristaq Cito e shumë të tjerë ku kemi ndjerë e shkëmbyer me njëri-tjetrin emocione të forta; ndoshta, të paarritshëm për të tjerët, përveç atyre që e njohin detin dhe vështirësitë e tij, veçanërisht në kushtet e zbatimit të detyrave luftarake të minimit, çminimit, daljes në sulm kundër nëndetëseve, që secila në veçanti përbën operacion luftarak mjaft të komplikuar të cilat kërkojnë organizime, dije, saktësi e përgjegjësi.

Meqë ra rasti, po përmend një operacion çminimi, ku përveç anijeve të specializuara e të përgatitura për këtë qëllim, kërkohen edhe një sërë organizimesh e masash të nevojshme që në kompleks, po të zbatohen mirë, të çojnë tek suksesi. Këtu mund të përmendim shkurtimisht pajisjen e bregut me pika drejtimi e vrojtimi, harta e planshete të shkallëve të mëdha që lejojnë devijime të vogla gjatë lundrimit dhe çminimit në veçanti.

Edhe çminimi i Kanalit të Korfuzit nga anijet e flotës shqiptare dhe asaj greke që u kryen në vitin 1956, megjithëse nuk ka pasur një kompletim dhe teknologji, si të kohëve të sotme, ka pasur harta të sakte ruse me numër 158, 2380L-II dhe angleze me Nr. 206, ka pasur ndarje dhe njohje të saktë të kufirit dhe marrëveshje e koordinim veprimesh të përbashkëta, me bazë ligjore; mbi të cilat u krye çminimi dhe u deklarua zonë e parrezikshme nga minat.
Rruga që kaluam ne brezat e parë, nuk qe e shtruar me lule dhe dafina. Ajo qe një rrugë e lodhshme, e mundimshme dhe me plot të papritura dhe rreziqe, por ne i kaluam, duke qenë të bashkuar në mendim dhe veprim, duke u forcuar në çdo hap që të ngjiteshim më lart dhe u thoshim atyre që vinin prapa: rruga juaj është e hapur; shpejtoni hapat për tu ngjitur më lart. Vetëm mos harroni që të ktheni herë pas here kokën prapa për të parë sesi u rritëm dhe u ngjitëm kaq lart. Rrënjët qëndrojnë atje poshtë.

Fund

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›