Fule: Pa media s’ka demokraci

“Liria e shprehjes nuk garantohet vetëm me miratimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve, por është një vlerë themelore, e cila duhet gjallëruar nga të gjitha shoqëritë dhe pa të cilat, asnjë demokraci nuk mund të funksionojë”.
Këtë shprehje ka përdorur Komisionari i BE-së për Zgjerim, Shtefan Fule, në një takim joformal që zhvilloi me gazetarë të përzgjedhur nga Ballkani.
Në komunikatën për shtyp, që sqaron dhe organizimin e një konference të nivelit të lartë ndërkombëtar enkas për problemet e medies në rajon, nuk jepen më shumë detaje rreth bisedave dhe informacionit të shkëmbyer për më se dy orë, por është përzgjedhur vetëm kjo shprehje e Komisionarit e cila përmendet fund e krye.
Në komunikatën për shtyp theksohet se “liria e shprehjes është një shtyllë themelore për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në shoqëritë demokratike, të cilat gjithashtu duhet të kenë media profesionale dhe të përgjegjshme”.
Rëndësia që i kushtojnë këtij parimi ka nxitur organizimin e Konferencës që zhvillohet më 6 maj.
400 pjesëmarrës, mes të cilëve dhe gazetarë të kërcënuar, persekutuar apo të sulmuar për idetë e tyre, do të flasin për shkëmbimin e praktikave më të mira e mbi zgjidhjet ndaj sfidave në shtim të lirisë së medies në rajon.