Fule: Serbia jo në BE, pa zgjidhur problemin me Kosovën

“Duke arrestuar të akuzuarin e Hagës për krime lufte Goran Haxhiç Serbia i është afruar marrjes së statutit të kandidatit për në BE, por ajo duhet të ndërmarrë edhe reforma të tjera politike dhe t`i përparojë marrëdhëniet me Kosovës”. Kështu është shprehur komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule.
“Ajo për çka ne po diskutojmë është nëse bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës dhe kapja e të arratisurit të fundit mjafton dhe vetvetiu siguron propozimin për marrjen e statusit të kandidatit. Përgjigjja ime është absolutisht e qartë: Jo!”, ka deklaruar Fule.
Pas kryerjes së detyrës së bashkëpunimit me Hagën dhe fillimit të reformave të brendshme, çështje kryesore e pazgjidhur mbetet raporti i Beogradit ndaj Kosovës.
Ka shpresa që Beogradi e Prishtina do të mund të merren vesh deri në shator edhe rreth çështjeve të energjisë elektrike, telekomunikacionit, librave amzë dhe të vulave doganore dhe Fule beson se këto do të mund të rrisnin gjasat që Serbia mund të fitojë statusin kandidatit për në BE deri në tetor.
“Ndihem i lumtur për disa nga rezultatet konkret të arritura. Jam i lumtur që shoh se njerëz të zakonshëm së shpejti do të ndiejnë përmirësime në jetën e tyre,por e di se janë duke përgatitur edhe disa gjëra të tilla dhe se marrëveshja ndërmjet Beogradit e Prishtinës për to është fare e mundshme”, vijoi komisioneri.