Fule: Të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit, rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit

Stefan Fule / Foto arkiv
Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Parlamentit shqiptar, pas takimeve me krerët e lartë të shtetit dhe opozitës.
Fule ka kërkuar nga të gjitha palët të bëhen më shumë përpjekje për planin e veprimit, ndërsa ka vlerësuar konsensusin e arritur për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe miratimin e ligjeve me 3/5.
Fule ka përmendur katër pika si çështjet më kryesore për integrimin e vendit në BE: reforma zgjedhore, roli i Parlamentit, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian ka këmbëngulur në zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit të vitit të kaluar, luftën kundër korrupsionit, heqjen e imunitetit zyrtarëve të lartë dhe bashkëpunimin mes institucioneve.
“Së pari, themelore që të përfundohet puna e mirë që është bërë nga komisioni ad hock. Shqipëria duhet të tregojë rezultate për Kodin Zgjedhor.
Së dyti, Parlamenti duhet të jetë institucioni kyç. Puna e tij e bazuar në dialogun dypalësh është themeli i demokracive funksionale. Parlamenti është bërë vendi ku qeveria dhe opozita kontribuojnë. Shpresoj të ruani atmosferën për zgjedhjen e presidentit, e cila duhet ti përmbahet Kushtetutës.
Së treti, sundimi i ligjit përfshirë një sistem gjyqësor të pavarur është identifikuar si sfidë kryesore për vendet që ecin drejt BE-së. Nuk ka kohë për të humbur dhe Shqipëria duhet të japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Me rëndësi të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit, hetime të lira nga ndërhyrjet politike.
Lufta kundër korrupsionit mbetet një ndër sfidat kyçe.
Element me rëndësi është heqja e imuniteteve për deputetët, zyrtarët e nivelit të lartë dhe gjyqtarët, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira. Heqja e imuniteteve nuk do të mjaftojë. Ngritja e bashkëpunimit mes prokurorisë dhe policisë është themelore për tolerancë zero kundër korrupsionit, ku askush nuk është mbi ligjin.
Së fundmi, respektimi i të drejtave të njeriut. Duhet të tregohet standard i lartë, sidomos ndaj të drejtave të grupeve të caktuara, si invalidëve, komunitetit gei, komunitetit rom etj”, theksoi Fyle para deputetëve shqiptarë.
* * *
Fule takon Ramën: Dera e BE-së mbetet e hapur
Gjatë takimit me kreun e opozitës, Komisioneri Për Zgjerimin, Stefan Fule, është njohur nga kreu i PS-së me ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore.
Kreu i PS-së renditi një sërë çështjesh që mbeten për tu adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median. Rama ka rikonfirmuar angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë, bën të ditur zyra e shtypit e PS-së.
Ndërkohë, Fule ka përgëzuar kreun e Partisë Socialiste për rolin konstruktiv të opozitës për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Fule e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen europiane të vendit tonë. Komisioneri Fule deklaroi se dera e Bashkimit Europian mbetet e hapur dhe nga Shqipëria priten mesazhe pozitive. / G.N.
* * *
Fule në konferencë me Berishën: Anëtarësimi varet nga progresi i Shqipërisë
Komisioneri Fyle ka nisur rreth orës 09:30 takimin me kryeministrin Berisha në selinë e kryeministrisë.
Ai shoqërohej nga ambasadori i BE-se, Ettore Sequi, dhe drejtori i KE për Zgjerim, Stefano Sanino, ndërkohë që në krah të kryeministrit ndodhej ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Komisioneri Fyle ka nisur rreth orës 09:30 takimin me kryeministrin Berisha në selinë e kryeministrisë. Ai shoqërohet nga ambasadori i BE-se Ettore Sequi dhe drejtori i KE për Zgjerim, Stefano Sanino, ndërkohë që në krah të kryeministrit ndodhej ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Pas këtij takimi pritet edhe konferenca e përbashkët Fyle-Berisha.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle ka deklaruar se Shqipëria i ka potencialet për të përmbushur kriteret kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Fyle theksoi se ritmi i anëtarësimit të Shqipërisë do të varet nga puna që do të bëjë Shqipëria për të përmbushur të gjitha kriteret.
E kam thënë edhe më herët se nuk po shkoj në Shqipëri për të folur për çështjet dhe problemet e të shkuarës, por për të shprehur përgëzimin që politikanët po shënojnë arritje lidhur me pritshmërinë jo vetëm të Brukselit, por edhe të vetë qytetarëve shqiptarë. Së dyti, dua të shoh se ku jemi sot, nëse e shohim progresin e deritanishëm dhe çështjet që mbeten të hapura njësoj. Dhe së treti, dua të konfirmoj atë që do quaja udhërrëfyesin, që shpresoj do ta çojë Shqipërinë brenda këtij viti në një etapë më të lartë të agjendës së zgjerimit, u shpreh Fyle.
Nga ana e tij kryeministri Berisha bëri me dije se me komisionerin Fyle është diskutuar për reformat si edhe zgjedhjen e presidentit të ri.
E njoha Fylen me progresin e bërë në të gjitha rrafshet: zgjedhjet, drejtësia. Duket se po shkojnë në një zë për heqjen e imuniteteve. Kemi qenë për mos prekjen e Kushtetutës, por tani pranojmë opsionet e opozitës për heqjen e imuniteteve. Diskutuam për problematikën dhe axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteteve si edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurova Fylen se e konsideroj këtë një proces, domosdoshmërisht që do kalojë me negociata, një proces që do respektojë plotësisht Kushtetutën. Ne do angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë ka por procesi real fillon kur e thotë Kushtetuta. Diskutuam për përpjekjet që duhen bërë që fryma e bashkëpunimit të konsolidohet, që palët të vlerësojnë njëritjetrin si bashkaksionerë në këtë proces themelor për vendin, tha kryeministri Berisha.
Fule, gjatë vizitës njëditore do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Avokatin e Popullit, Igli Totozani.
Fule pritet të diskutojë gjatë këtyre takimeve reformat në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat.
Gjatë seancës parlamentare, Fule do të mbajë fjalim para deputetëve lidhur me çështjen e rëndësishme të integrimit në BE.
Shqipëria ka aplikuar për marrjen e statusit me 28 prill të vitit 2009 dhe është i vetmi vend në rajon që i është refuzuar statusi për dy vite me radhë. / E.L.