Fule: Topi në fushën e Berishës e Ramës, ata i dinë porositë tona
Kur kanë kaluar dy javë nga darka e Strasburgut mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama, në prani edhe të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, situata duket e njëjtë. Të dyja palët nuk kanë pranuar ende të lëshojnë nga kërkesat dhe kushtet e tyre dhe në këto rrethana, thuajse nuk është bërë aspak progres. I pyetur nga "Top Channel" se deri në çfarë periudhe do të pritet zgjidhja e krizës, Komisioneri për Zgjerimin, Fule tha se tashmë topi është në fushën e Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës. Sipas tij, dy liderët e politikës shqiptare i kanë të qarta porositë që janë dhënë në darkën në restorant "Crocodille". "Ata e kanë procesin në duart e tyre tani. Ata e njohin përgatitjen tonë për t'i ndihmuar sa më shumë që të mundemi. Ata janë në dijeni të kërkesave nga drejtuesit e dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian. Topi është në fushën e tyre", thekson Fule. Por kjo deklaratë e tij është shoqëruar me një truk nga ana e 4 gazetarëve të televizioneve shqiptare. Të pranishëm në Samitin e Sarajevës, ku me asistencën e Ministrisë së Jashtme, atyre iu mundësua ndjekja nga afër e takimit të nivelit të lartë, gazetarët shqiptarë intervistuan Komisionerin pak minuta pas përfundimit të konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm spanjoll, Moratinos, në 2 qershor. Më pas, me një pakt mes tyre, deklarata e zyrtarit të lartë të Komisionit Europian u dha vetëm ditën e djeshme, dy ditë pasi ai kishte folur për mediat shqiptare, ndërkohë që pjesa e parë e deklaratës së tij u transmetua atë ditë.