E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Vetëm zgjedhjet e lira rrisin imazhin e vendit

Bruksel Komisioneri i BE-së për Zgjerimin bën thirrje për një proces të rregullt

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, ka shprehur bindjen se zgjedhjet e së dielës në Kosovë do të jenë të lira dhe të ndershme, dhe në këtë mënyrë do të rrisin kredibilitetin demokratik të Kosovës. Fule mori pjesë në një debat për Ballkanin të organizuar nga “Miqtë e Europës“, në të cilin nuk pati përfaqësues nga Kosova, edhe pse shumë folës përmendën Kosovën dhe raportet e saj me Serbinë si elemente kyçe për stabilitetin afatgjatë të rajonit të Ballkanit. I pyetur se cili është qëndrimi i tij për kërkesën e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe frikësimi i tyre, Fule tha: “Sa kuptoj unë, është se vendimi i Qeverisë së Serbisë, edhe pse nuk shkon në drejtimin që të mbështeten zgjedhjet e lira dhe demokratike të Kosovës, u lë hapësirë të mjaftueshme që serbët që jetojnë në Kosovë, në baza individuale, të mund të vendosin vetë e të dalin në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Shpresoj shumë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe një numër i madh i serbëve, do të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të marrin pjesë ne zgjedhje“. Fule këto komente i ka dhënë pas debatit rreth Ballkanit në të cilin morën pjesë edhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ai i Serbisë, Cvetkoviç, dhe disa folës të tjerë nga rajoni dhe BE-ja. Kryeministri i Serbisë ka thënë se vendi i tij është duke i përmirësuar raportet me fqinjët dhe ka shprehur, siç ka thënë ai, “gatishmërinë e Beogradit për dialog me Prishtinën për të gjetur një zgjidhje në të cilën të dyja palët do të ishin fituese dhe për të arritur një pajtim historik mes shqiptarëve dhe serbëve“. Por, Doris Pack, nga Parlamenti Europian, ka kritikuar Serbinë për thirrjet që ka bërë ndaj serbëve të Kosovës që të mos dalin në këto zgjedhje. “Ju nuk mund të silleni në vitin 2010 si në vitin 2009. Serbët e Kosovës duhet të lihen të qetë dhe të dalin në zgjedhjet e Kosovës për të vendosur vetë për fatin e tyre, e jo t’i mësojë Beogradi se çfarë të bëjnë“, - ka thënë Pack. Shumë folës kanë bërë ftesë që të gjendet një zgjidhje edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe të Serbisë në nismat rajonale. Këtë e ka thënë edhe Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule. “Nga situata e tashme asnjëra palë nuk ka dobi, por vetëm pasoja dhe vuajtje për qytetarët. Duhet, në mënyrë pragmatike, të gjendet një zgjidhje pa paragjykuar qëndrimet rreth statusit të Kosovës“, - ka thënë Fule. Edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukaniviç, ka përmendur “raportet e pavendosura mes Kosovës dhe Serbisë“ si ndër sfidat kryesore për stabilitetin afatgjatë të rajonit të Ballkanit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›