Topi: Politikanët të adoptojnë sjellje të vërtetë europiane
Zërit kritik të faktorit ndërkombëtar për rolin frenues që ka luajtur klasa politike shqiptare në procesin integrues të evidentuar edhe në progres-raportin e këtij viti, i është bashkuar edhe kreu i shtetit, Bamir Topi. Gjatë një takimi me kreun e delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi, ku dhe ka marrë në dorëzim progres-raportin e këtij viti, Topi ka shprehur nevojën imediate për rivendosjen e dialogut real politik mes partive politike shqiptare dhe zgjidhjen e të gjitha atyre problematikave që janë vënë dhe këtë vit si prioritete të procesit integrues. “Ne do ta lexojmë Raportin e Përparimit me kujdes e me shumë vëmendje, duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues”, - theksoi Presidenti i Republikës, - “por do të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxisim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë europiane. Këta aktorë kryesorë politikë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik dhe dialogut të duhur institucional, që mungon prej kohësh, duke u bërë edhe arsyeja kryesore për mosarritjen e objektivit të marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Europian”. Presidenti i shprehu mirënjohjen ambasadorit Sequi për gjithë mbështetjen dhe ndihmesën dhënë Shqipërisë në rrugën për arritjen e standardeve integruese në familjen e madhe euroatlantike, ndërsa vlerësoi Bashkimin Europian për qëndrimet gjithmonë objektive. Pavarësisht përfundimeve të arritura nga ky raport, presidenti Topi vuri në dukje se aspirata e qytetarëve shqiptarë për integrim në BE vijon të mbetet përparësia kryesore.