Basha takim me biznesin: Ju premtoj lehtësira fiskale
TIRANË- Platforma e kandidatit të mazhorancës për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, synon të bazohet në shtimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve për qytetarë. Basha bëri të ditur dje se parashikon në programin e tij të punësimit, përmirësim të infrastrukturës dhe klimës së biznesit, lehtësira fiskale dhe thithje të investimeve të huaja. Basha tha se do të ketë lehtësira fiskale për 4-5 vjet, për bizneset që punësojnë mbi 50 punonjës, si dhe do të krijohen parqe industriale bazuar mbi Planin e Përgjithshëm Rregullues, i cili do të përfundojë brenda 12 muajsh.
“Prioriteti ynë numër një mbetet punësimi në të gjithë kuptimin e fjalës. Vende pune, kushte më të mira pune, paga më të larta dhe trajtim më të mirë. Që ta bëjmë këtë, ne duhet që Tiranën ta kthejmë në një qytet që e lakmon biznesin, jo në një qytet ku largohet biznesi. Të përmirësojmë klimën e biznesit, duke ulur taksat, të përmirësohet klima e biznesit, duke krijuar mundësi për parqe teknologjike, ku jo vetëm punohet me një regjim fiskal të favorshëm, por edhe transferohet përvoja e punës edhe te brezi i ri. Këto inkubatorë do të jenë pa taksa, deri në 3 vjet. Gjithashtu, unë do të heq taksat për të gjitha bizneset që punësojnë 50 ose më shumë punonjës për 4 deri në 5 vjet. Unë kam shpallur prioritet kryesor një fond prej 2 milionë eurosh, me të cilat do të hapen 6 mijë vende pune”, - tha dje Basha, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Tiranë. Heqja e 60, nga 85 taksat dhe tarifat e bashkisë, ulja e barrës fiskale nga 40 deri në 60 mijë lekë në vit, ulja 3 deri në 5 herë e kohës për marrjen e lejeve ose licencave, parashikohen nga kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Bashkia e Tiranës, tha Basha, do të angazhohet dhe konkurrojë për thithjen e investimeve të huaja, duke e bërë kryeqytetin një vend atraktiv për biznesin. Po dje, banorë të njësisë bashkiake numër 4 në Tiranë, kanë kontestuar investimet elektorale të Edi Ramës.