E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: Zgjidhja e krizës do të ketë ndikim te statusi kandidat

Bruksel Bashkimi Europian merr në dorë situatën pas ikjes së KiE-së

Kriza shqiptare, sipas të gjitha gjasave, do të merret në dorë nga Bashkimi Europian pas përpjekjes së pafrytshme të Këshillit të Europës. Nga Brukseli, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, do të vijë në Tiranë së shpejti për të diskutuar me qeverinë dhe opozitën për ta zhbllokuar atë. Tirana zyrtare i ka dërguar një ftesë komisionerit Fule, ku sipas të gjitha gjasave do t’i dorëzojnë përgjigjet e pyetësorit, por Brukseli nuk pritet që të bëhet fasadë e protokollit të qeverisë. Kjo, pasi thelbi i vizitës të zyrtarit të kartë të BE-së do të zhvendoset pikërisht tek kriza politike: nëse do të zgjidhet para vizitës, ai do të sjellë lajme të mira, ndërsa nëse kriza do të shtyhet, Fule, sipas të gjitha gjasave, do të transmetojë mesazhin e Barrozos që opinioni nuk do të jetë pozitiv. Duke folur në konferencën djeshme për shtyp, komisioneri Fule theksoi se, nëse partitë politike do të bien dakord për të zgjidhur krizën në vend, atëherë kjo do të reflektohej pozitivisht në opinionin e komisionit mbi statusin kandidat të Shqipërisë. “Për sa i takon Shqipërisë, ashtu sikundër e kam shprehur dhe një herë qëndrimin tim, inkurajoj partitë politike, si ato në pushtet ashtu dhe ato në opozitë, që ta zgjidhin këtë çështje, që të lejojnë që procesi politik të zërë vend në kuadër të Parlamentit, në platformën e Kuvendit e jo në rrugë”. Ai ka preferuar të mos hedhë hipoteza në rast se partitë shqiptare nuk do ta zgjidhin situatën, duke nënvizuar se beson te përgjegjshmëria e tyre. “Më lejoni që të mos spekuloj me këtë çështje se çfarë ndikimi mund të ketë nëse situata nuk do të zgjidhej, duke qenë se shpresoj shumë që të triumfojë përgjegjshmëria, çfarë do të reflektohej me qëndrim pozitiv në opinionin tonë për çështjet e brendshme në Shqipëri”, ka pohuar Fule. Komisioneri e dha këtë deklaratë në një konferencë për shtyp, ku prezantoi opinionin pozitiv mbi kandidaturën e Islandës.

Ky vend paraqiti pas Shqipërisë kërkesën për statusin kandidat në BE, më 17 korrik të vitit të kaluar dhe 10 ditë më vonë Këshilli i kërkoi Komisionit që të përpilojë opinionin. Pyetësori për rastin e Islandës ishte 350 faqe dhe komisioneri Fule tregoi se negociatat e anëtarësimit me këtë vend mund të zgjasin vetëm 14 muaj. Paralajmërimi për rrezikun e Shqipërisë, nëse nuk zgjidhet kriza, është dhënë edhe pak kohë më parë nga ambasadori i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Ambasadori Montobio bëri të ditur se në mars vjen në Tiranë një delegacion, i cili do të mbledhë materialet për opinionin e Komisionit Europian, i cili sipas të gjitha gjasave do të bëhet i ditur në mbledhjen e 11 majit, ku siç është traditë do të mblidhet Komiteti i përbashkët i Stabilizim- Asocimit Shqipëri-BE. Diplomati i Spanjës ka deklaruar se moszgjidhja e krizës politike do të ndikonte në opinionin e Komisionit Europian. Një tjetër skadencë e rëndësishme për Shqipërinë është edhe çështja e liberalizimit të vizave, e cila nuk është më thjesht “teknike” pas majisjes së krizës politike dhe përcaktimit si e tillë dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›