E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat serbe: Dhuna ndaj ambasadave, dështimi ynë politik i Beogradit

Komentet politike, dy vjet mbas trazirave të dhunshme në Beograd

Dy vjet mbas trazirave të dhunshme dhe të egra, të organizuara gjatë dhe mbas mitingut “Kosova është Serbi” në mes të Beogradit, pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova më 17 Shkurt 2008, asnjë nga organizatorët e tyre, pa folur për frymëzuesit, pavarësisht nga përbetimet e autoriteteve të larta, nuk është dënuar penalisht. Ende janë të freskëta pamjet e frikshme apokaliptike të 21 shkurtit të atij viti, kur mijëra, për të mos thënë dhjetëra mijëra serbë të zëmëruar, me mbështetjen dhe miratimin e heshtur të një pjese të pushtetit serb të atëhershëm, u sulën si të tërbuar nëpër rrugët e kryeqytetit serb, duke sulmuar, duke u vënë flakën dhe duke dëmtuar rëndë, në radhë të parë, ambasadat e SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë etj., të cilat i konsideronin si shkaktaret kryesore të shpalljes së pavarësisë nga Kosova, pa folur për qendrat, zyrat, dyqanet, restorantet dhe çdo objekt tjetër që kishte sado pak lidhje me Perëndimin “armik”.

Gjatë atyre vandalizmave të shfrenuara u shkaktuan dëme që u llogaritën në shumë milionë euro dhe u kërcënua, si rrallë herë më parë, siguria e qytetarëve të Beogradit, por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me dëmin moral që pësoi në atë kohë Serbia dhe pasojat e të cilit ndihen ende sot e kësaj dite. Dhe këtë, ç’është e vërteta, është i detyruar ta pranojë sot edhe vetë Beogradi zyrtar. Në një deklaratë që i dha ditët e fundit gazetës së përditshme serbe “Danas”, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, theksoi se “dështimi më i madh (në luftën politike serbe kundër pavarësisë së Kosovës) ndodhi më 21 shkurt të vitit 2008, kur ne nuk arritëm të pengonim reagimin destruktiv në rrugët e Beogradit ndaj vetëshpalljes së pavarësisë në Prishtinë, gjë që e rëndoi edhe më shumë pozitën tonë, e cila edhe kështu ishte e rëndë”. Drejtori i Fondit Ballkanik për Demokracinë të Serbisë, Ivan Vejvoda, nga ana e tij, me rastin e dyvjetorit të trazirave të dhunshme në Beograd lidhur me mitingun e lartpërmendur, vuri në dukje se ngjarjet e atëhershme lanë një shije mjaft të keqe të bashkësia ndërkombëtare, pasojat e së cilës ndihen edhe sot. “Pasojat negative të atyre ngjarjeve kanë prekur edhe synimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE), duke pasur parasysh se ajo që ndodhi ishte një përjashtim i tmerrshëm, ndërkohë që nuk u konfirmua në praktikë asnjë nga pasojat negative të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk ndodhi eksodi masiv i serbëve, nuk pati bllokadë tregtare të Kosovës, ndërprerje të komunikimit nga veri në jug të krahinës”, theksoi Vejvoda, duke shtuar se “ato ngjarje të tmerrshme në Beograd, në shkurt të vitit 2008, i frikësuan jo vetëm beogradasit, por edhe qytetarët e të gjithë Serbisë, si dhe bashkësinë ndërkombëtare, se vendi po kthehej në kohërat për të cilat kishim menduar se i kishim tejkaluar. Por, sidoqoftë, për të fat të mirë, kjo nuk ndodhi”, tha ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›