E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ngre strukturat e emergjencës për Shkodrën

Ministri i Brendshëm merr përsëri kryesimin e Komitetit Ndërministror. Kryeministri: Të shpëtojmë njerëzit

Qeveria mori dje vendimin për të ngritur përsëri Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili do të mbikëqyrë edhe situatën në veri të vendit, ku rritja e nivelit të hidrocentraleve po sjell mundësinë për përmbytje të reja. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha e renditi situatën në veri të vendit si çështjen më problematike të qeverisë së tij. Sipas tij, prurjet e larta të digave të Drinit bën të nevojshme që ky komitet të nisë punën menjëherë. “Sërish kemi një situatë emergjente. Mbrëmë, prurjet e të dy degëve të Drinit kanë arritur në 3 mijë m3/sekondë. Të jashtëzakonshme kanë qenë prurjet e lumenjve të alpeve, si dhe ka një rritje të ndjeshme të Kirit dhe Gjadrit. Ndaj për t’u përballur me këtë situatë të re është e domosdoshme të ngremë sërish Komitetin Ndërministror të Emergjencës, i cili duhet të nisë veprimtarinë që sot”, theksoi Berisha në fjalën e tij. Kryeministri theksoi se është e rëndësishme që të merren të gjitha masat mbi bazën e praktikës së suksesshme që u krijua në operacionin e parë. Qeveria, sipas Berishës, duhet të jetë energjike, e vendosur dhe e mirorganizuar, në mënyrë që ta kapërcejë këtë situatë. Berisha theksoi se e rëndësishme është që të ruhen jetët njerëzore, në rast se situata do të shkojë drejt përkeqësimit të mëtejshëm. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur çdo jetë njerëzore, çdo gjë të gjallë të mundshme, në rast se situata thellohet, ndonëse rënia e prurjeve ka përgjysmim, nga 3000 në 1500 m3/sekondë”, theksoi Berisha në mbledhjen e qeverisë. Po kështu, dje në sallën e mbledhjeve të qeverisë mungonte ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe ai i Mbrojtjes, Arben Imami. Sipas Berishës, këta dy ministria kanë nisur të qëndrojnë në Shkodër për t’i bërë ballë edhe situatës që po krijohet në qytetin verior. Nga ana tjetër, Kryeministri shpjegoi edhe ‘black out’-in energjetik, i cili për disa minuta pushtoi dje pjesën dërrmuese të vendit. Sipas Berishës, si pasojë e motit të keq në veri të vendit, një rrufe në Vaun e Dejës bllokoi transmetimin e energjisë elektrike dhe për një periudhë zhyti vendin në errësirë totale. Sipas Berishës, ky ishte shkaku për të cilin ndodhi dy ditë më parë edhe shkëputja e energjisë elektrike në orën 21.15 minuta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›