E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati hapja e dosjes Adolf Ajhman, implikohet dhe Vatikani

Autori i Lajmit: A.D

Lajpcig - Gjermania po lufton për të mbajtur të mbyllura dosjet me detajet e jetës së Adolf Ajhmanit në arrati, përpara se të kapej nga agjentët e Mosadit dhe të dilte në gjyq për krimet e luftës në Izrael. Dokumentet për arratisjen e trurit të Holokaustit nga Evropa dhe të 15 viteve të arratisë së tij në Argjentinë pritet që të hapen pas përfundimit të urdhrit 50-vjeçar të ruajtjes së sekretit të tyre. Por ata që kundërshtojnë një urdhër të tillë thonë se dosjet Ajhman mund të provojnë se zyrtarë të Vatikanit mund të kenë bashkëpunuar në arratisjen e Adolfit nga Gjermania. Urdhri i ruajtjes së sekretit të këtyre dosjeve tashmë është një çështje gjyqësore kundër BND-së, Shërbimit Sekret të Brendshëm Gjerman, i cili kërkon që 4500 faqet e dosjeve të Adolf Ajhman të qëndrojnë ende të mbyllura për publikun. Shërbimet sekrete gjermane thonë se hapja e këtyre dosjeve do të krijojë një precedent duke frikësuar dhe të ardhmen e publikimit të dokumenteve të tilla, nëse kjo dosje publikohet. Kritikët thonë se kjo është thjesht një tymnajë e krijuar për të shmangur shqetësimet e zyrtarëve si në Berlin ashtu edhe në Vatikan. Tashmë është e dokumentuar se peshkopi gjerman Alois Hudal në Romë arriti të siguronte pasaporta për të ndihmuar nazistët në kërkim që të largoheshin nga Gjermania për ti shpëtuar drejtësisë. Franz Stangl, komandanti i kampit shfarosës të Treblinkës, pranoi përpara ekspertit britaniko-nazist, Gitta Sereny, se Hudal e kishte ndihmuar atë të largohej nga Gjermania më 1945. Edhe Ajhmani arriti të arratisej. Ai ishte vrasësi i fundit i Rajhut të Tretë si përgjegjësi kryesor për trenat që transportonin miliona njerëz drejt kampeve të përqendrimit të nazistëve në Poloni. Pas luftës ai u kap, por arriti tu arratisej forcave aleate. Ndërsa forcat fituese i ranë kryq e tërthor Evropës për të gjetur liderët kryesorë të regjimit nazist, emri i Ajhmanit nuk ishte në krye të listës. Emri i tij u bë shumë më i rëndësishëm pas zbardhjes së plotë të masakrës së Holokaustit. Për 15 vjet me radhë ai arriti të jetonte pa e ndryshuar emrin në Argjentinë, ku punonte në një fabrikë makinash Volksvagen për të ushqyer familjen. Më 1960, një skuadër agjentësh të shërbimeve sekrete izraelite arriti të binte në gjurmët e Ajhmanit në Buenos-Aires dhe pas kapjes e dërguan përpara gjyqit në Izrael. Ai u dënua me vdekje me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe u var më 31 maj 1962. Tani Gjykata Federale Administrative në Laipcig të Gjermanisë po studion dosjet e arratisjes së tij nga Evropa dhe jetën në Argjentinë për të vendosur nëse detajet e saj do të bëhen publike apo jo. Kërkesën për shqyrtimin e kësaj çështjeje e ka bërë gazetari gjerman Gabriele Veber. BND-ja thotë se ruajtja e sekretit të dosjes është shumë e rëndësishme, sepse informacioni që ajo përmban është siguruar nga një shërbim sekret i paidentifikuar i huaj. BND thotë se, nëse dosja do të hapet për publikun, ajo do të shkaktojë një reaksion zinxhir dhe në vendet e tjera që kanë shkëmbyer informacione sigurie me Gjermaninë. “Ajo do të ndikojë direkt në operacionet e bashkëpunimit mes shërbimeve sekrete të huaja dhe tonat”, - thanë avokatët e agjencisë. Por kritikët besojnë se ajo çka dosjet do të tregojnë me të vërtetë është se deri në çnivel kanë shërbyer shërbimet e huaja sekrete në arratisjen e Ajhmanit dhe bërjen e një syri qorr të zyrtarëve të aleatëve për të kërkuarit nazistë të pasluftës. Ata thonë se dosjet implikojnë dhe Vatikanin, i cili u ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme të kërkuarve kryesorë të luftës e Ajhmanit në veçanti.

Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›