Fule: “Guximi” i Serbisë duhet vlerësuar

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka thënë se Qeveria e Serbisë po tregon “guxim” dhe i ka bërë thirrje Këshillit të Evropës që t’i përgjigjet me hapa të njëjtë.
“Qeveria e Serbisë, në raundin e fundit të dialogut me Prishtinën, ka treguar guxim. Asaj i duhet mbështetja jonë”, ka thënë Fule, duke iu drejtuar të pranishmëve në Forumin për Përparimin e Ballkanit, në Bruksel.
Siç transmetojnë mediet serbe, Fule ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së, për disa arsye, ndodhet në vështirësi, por edhe “Këshilli i Evropës duhet të tregojë guxim”.
“Këshilli duhet t’i ofrojë perspektivë të qartë evropiane Serbisë”, ka thënë ai, transmeton Rel.
Duke folur për Kosovën, diplomati evropian ka shprehur kënaqësinë se Kosova “më në fund është gjendur në rrjedhën kryesore të procesit të zgjerimit”.
Mbrëmë në Bruksel është zhvilluar takimi i tretë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq./Indeksonline/