Kërkohet drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Kërkimi i drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, zgjidhja e statusit të tyre me ligj dhe ndjekja penale e kriminelëve të dhunës dhe të drejtat e viktimave ishin disa nga çështjet të cilat u trajtuan në Tryezën e sotme të organizuar nga zyra e projektit UN Uomen në Kosovë.
Dhuna seksuale është krim ndaj njerëzimit dhe paqja e vërtetë është ngadhnjimi i drejtësisë, u tha në tryezën e sotme ku u fol për gjendjen e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja e integrimeve evropiane Vlora Çitaku njëherit themeluese e Task Forcës kundër Dhunës Seksuale dhe Torturëse, tha se nuk është bërë shumë për të mbijetuarat nga dhuna seksuale.
”Për 14 vite për këto gra nuk ka drejtësi, janë rreth 20 mijë gra të dhunuara në Kosovë dhe askush ende nuk është denuar.. Kanë qenë 14 vite neglizhim, 14 vite mospërkrahje, heshtje, plagë të pashëruara për mijëra mijëra të mbijetuara”, tha Çitaku e cila vlerësoi se institucionet e Kosovës e kanë për detyrë që t’ju ndihmojnë kësaj kategorie në shumë nivele, raporton RTK.
” Niveli i parë është drejtësia, ata që kanë bërë këto krime duhet të përballen me drejtësinë, niveli tjetër është akomodimi, përkatësisht njohja e kësaj kategorie me ligj dhe niveli i tretë është vetëdijësimi i opinionit publik”, tha Çitaku.
Në tryezën e sotme ishin të pranishme edhe përfaqësues joqeveritar nga Bosnja, që ndan përvojat e tyre për të drejtat e të mbijetuarave, duke përmendur ndihmën financiare, sigurimet shëndetësore, strehimin dhe ndihma tjera./Indeksonline/