E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefan Fule: “Është brengosës bllokimi politik”

INTERVISTË EKSKLUZIVE. Komisioneri për Zgjerimin flet ekskluzivisht për “Albania”-n. “Palët të punojnë për zgjidhjen e krizës. Vizat, brenda 2010-s”

Intervistoi Thimi Samarxhiu

“Bllokimi politik i muajve të fundit është brengosës”. Kështu e sheh komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, situatën në Shqipëri, në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Albania”. Drejtuesi i procesit të zgjerimit në Komisionin Europian kërkon që të kontribuojnë të gjithë. “Të gjitha palët politike duhet të kontribuojnë për të siguruar funksionim të vazhdueshëm të aktivitetit parlamentar, i cili do të çojë në miratimin e reformave të nevojshme politike”, - thotë për gazetën Fule. Ai ka përsëritur edhe njëherë apelin për reforma në vend, duke theksuar se anëtarësimi i secilit shtet nga rajoni i Ballkanit nuk është i përcaktuar në data fikse, por në meritat që arrin çdo shtet për zbatimin e kushteve të përcaktuara. Po ashtu, zoti Fule deklaroi se vizat do të liberalizohen gjatë vitit 2010, duke paralajmëruar se vendimi do të merret deri në muajin qershor dhe fundi i tij do të shënojë mbylljen e procesit të plotë, duke u ofruar mundësinë shqiptarëve që të udhëtojnë lirshëm. “Mendoj se kjo duhet t’u bëhet e qartë qytetarëve të Shqipërisë për të shmangur keqkuptimet, pasi është garantuar liberalizimi i vizave”, - përfundon komisioneri për Zgjerimin intervistën e tij për “Albania”-n.

Zoti Fule, ju vini nga Çekia, një vend i anëtarësuar në BE vetëm disa vite më parë. Cilat janë objektivat që i keni vënë vetes ju personalisht për anëtarësimin e vendeve të reja në BE?
Unë vij nga një vend që u bashkua me BE-në në 2004-n dhe jam në dijeni të fuqisë transformuese të BE-së. Perspektiva për t’u bashkuar me BE-në është një mjet i fuqishëm për të inkurajuar reforma politike dhe ekonomike në të gjitha vendet që aspirojnë. Në vitet që do të vijnë, detyra ime kryesore do të jetë për të nxitur reformat e tillë në mënyrë që këto vende të përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe ato të jenë të mirëpërgatitura kur të hyjnë në BE. Do të siguroj që pranimet e ardhshme do të jenë të përgatitura në mënyrë solide për të forcuar zhvillimin e mëtejshëm të Bashkimit.

A ka bazë reale që të realizohet propozimi grek për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014?

Unë e përshëndes nismën e fundit të Austrisë dhe Greqisë për të theksuar rëndësinë e perspektivës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, Komisioni nuk mund të parashikojë kur secili vend do të përmbushë kriteret e nevojshme. Vende të ndryshme të rajonit janë në faza të ndryshme përgjatë rrugës së integrimit europian. Çdo vend gjykohet mbi meritat e veta dhe me qëllim që zgjerimet në të ardhmen të jenë të suksesshme; ato duhet të jenë të përgatitura mirë dhe të bazohen në përparimin e qëndrueshëm në terren.

Shqipëria ndodhet në një krizë politike që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Raporti i OSBE/ODIHR-it theksoi se qytetarët e humbën besimin në procesin zgjedhor. Në këtë këndvështrim, a është e justifikueshme kërkesa e opozitës për transparencën zgjedhore, përfshirë edhe hapjen e kutive?

Komisioni Europian vuri në dukje se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ashtu siç u vlerësuan nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), në përmbushje me pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së. Përparim i dukshëm u konstatua në lidhje me identifikimin e votuesve, kuadrin ligjor dhe vendvotimet. Gjithashtu, janë vërejtur mangësi; dhe raporti i OSBE/ODIHR-it i nxirrte në pah ato, duke bërë rekomandime për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme. Unë pres që këto rekomandime të diskutohen në mënyrë konstruktive në Parlament, në mënyrë që të merren hapat e nevojshëm për t’i zbatuar ato në kohë për zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë zgjedhjet lokale 2011.
Në të njëjtën kohë, ngecja politike e muajve të fundit është brengosëse. Në një demokraci, zgjidhjet nuk gjenden duke qëndruar jashtë Parlamentit. Udhëheqësit kryesorë politikë kanë përgjegjësinë për t’iu kthyer një dialogu politik konstruktiv dhe për të demonstruar efikasitet dhe funksionim të institucioneve demokratike, pra maturim të demokracisë shqiptare. Rifillimi së fundi i punës në Parlament dhe në komisione është inkurajues. Të gjitha palët politike duhet të kontribuojnë për të siguruar funksionim të vazhdueshëm të aktivitetit parlamentar, i cili do të çojë në miratimin e reformave të nevojshme politike.

Bashkimi Europian ka vendosur si afat korrikun e vitit 2010 për heqjen e vizave me Shqipërinë. Duke parë axhendën e institucioneve të BE-së, nuk ka kohë për t’u futur në procedurë propozimi për heqjen e vizave në këtë afat. A do të thotë kjo se vendimi nuk merret para vitit 2011?

Siç e dini, liberalizimi i vizave ndjek një rrugë që bazohet mbi meritat. Çdo vend është duke u vlerësuar në përmbushjen e kushteve të vendosura në planin e liberalizimit të vizave. Në mes të prillit strukturat tona do të përgatisin një vlerësim të azhurnuar mbi progresin e bërë nga Shqipëria. Në bazë të këtij, Komisioni do të vendosë mbi përmbajtjen e propozimit që do t’i paraqitet Këshillit dhe Parlamentit Europian nga mesi i vitit 2010. Koha e vendimit përfundimtar do të varet nga Këshilli dhe Parlamenti, por unë shpresoj se ai mund të merret gjatë vitit 2010. Faktor vendimtar për vendimin e BE-së është progresi që ka bërë Shqipëria në terren. Gjithashtu, do të doja të sqaroja se liberalizimi i vizave nuk është emigrim i lirë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Kjo ka të bëjë me heqjen e kërkesave për viza për udhëtime afatshkurtra (deri në 90 ditë) në BE. Unë mendoj se kjo duhet t’u bëhet e qartë qytetarëve të Shqipërisë për të shmangur keqkuptimet, pasi është garantuar liberalizimi i vizave.

Kush është Stefan Fule

Stefan Fule erdhi në detyrën e komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Europian në shkurt të vitit 2010, duke zëvendësuar Oli Ren, i cili për disa vjet udhëhoqi në mënyrë të suksesshme procesin e zgjerimit të BE-së. Ai është 48 vjeç dhe ka lindur në Sokolov të Republikës së Çekisë. Përpara emërimit të tij në detyrën e komisionerit ka qenë për disa muaj ministër për Çështjet Europiane në qeverinë e Pragës. Po ashtu, nga viti 2001-2002 ka qenë zëvendësministër i parë i Ministrisë së Mbrojtjes. Ai ka një karrierë diplomatike dhe ka qenë për disa vjet përfaqësues i përhershëm në NATO, ambasador në Britaninë e Madhe dhe Lituani.
Zoti Fule ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë në detyrën e drejtorit të Departamentit të Kombeve të Bashkuara. Në vitet 1994-1995 ka qenë anëtar i delegacionit çek dhe përfaqësues alternat në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, si dhe sekretar i Parë i Delegacionit të Përhershëm çekosllovak në OKB. Karrierën e tij zoti Fule e nisi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekosllovakisë, në Departamentin e Kombeve të Bashkuara.
Studimet e larta i ka mbaruar në Fakultetin e Filozofisë, në Universitetin “Charles” në Pragë. Po ashtu ka përfunduar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Institutin Shtetëror të Moskës dhe më pas ka përfunduar studimet për programin e çarmatimit të OKB-së në vitin 1988. Emërimi i çekut Stefan Fule në detyrën e komisionerit për Zgjerimin në Komisionin Europian është një shans për vendet kandidate si Shqipëria për të përshpejtuar procesin e integrimit, pasi ai vjen nga një vend që ka një të kaluar siç e kanë shumë vende të Europës Lindore.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›