E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Arritëm nivelin kritik, s’ka më hapësirë

18/11/2009  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë merr pjesë në forumin e 6-të Ekonomik të Vjenës

Për menaxhimin e krizës, Banka Qendrore furnizoi tregun me likuiditet të bollshëm

Banka Qendrore ka arritur të furnizojë tregun me sasinë e nevojshme të likuiditetit gjatë periudhës së krizës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka marrë pjesë në forumin e 6-të Ekonomik të Vjenës ku ka dhënë opinionet e veta dhe masat që ka marrë institucioni më i lartë mbikëqyrës në vend për të përballuar efektet e krizës në Shqipëri. Gjithsesi, sipas tij, duke konsideruar pamundësinë e Bankës Qendrore Evropiane, për të shërbyer si ofrues likuiditeti, hapësirat që ka pasur në dispozicion Banka e Shqipërisë në kuadrin e aspektit ligjor e rregullativ aktual janë ezauruar gjithmonë nga këndvështrimi i likuiditetit. “ Ndryshe, do të thosha kemi arritur një nivel kritik, poshtë të cilit nuk ka më hapësirë për veprim. Tani që kriza nxori në evidencë shumë nga “defektet” e përafrimit të shpejtë apo siç njihet ndryshe catching up process. Analiza duhet të shkojë më tej sesa pranimi i marrë si i mirëqenë i këtij procesi”, - tha Fullani. Sipas tij, Banka e Shqipërisë, në mënyrë të ngjashme me Bankën Qendrore Evropiane dhe bankat e rajonit ka arritur të furnizojmë tregun me likuiditet të bollshëm, duke kombinuar një shumëllojshmëri instrumentesh dhe taktikash operacionale. “Kuptohet, që më të lehtë e kemi me likuiditetin në monedhë kombëtare. Ndërkohë, që për atë në monedhë të huaj, të paktën në rastin e Bankës së Shqipërisë, në asnjë rast nuk kemi menduar që të marrim rolin e burimit të fundit të financimit të sistemit bankar me mjete financiare valutore”, - tha Fullani. Banka e Shqipërisë e gjykoi të domosdoshme monitorimin e situatës, duke ndërmarrë një sërë veprimesh që zbutën trysninë mbi sistemin bankar. Fullani nënvizoi krijimin e një grupi task force për ndjekjen ditore të situatës për çdo bankë të veçantë. “Konkluzioni ynë ishte se analiza duhej të zbriste në nivel mikro, në çdo qelizë të sistemit dhe në çdo tregues të veçantë. U adoptuan një sërë lehtësirash për furnizimin pa ndërprerje të sistemit me likuiditetin e duhur. U ndryshua tipi i ankandit kryesor të injektimit në ankand me çmim fiks, u zgjerua baza e kolateralit për marrëveshjet repo, u rrit norma e përdorimit të rezervës së detyruar nga 20 në 40 për qind dhe u zvogëlua diferenca midis normës bazë të interesit të BSH-së dhe kredisë njëditore, nga 175 pikë në 75 pikë”, - tha Fullani. Kësaj i shërbeu edhe kërkesa për rritjen e kapitalizimit të veprimtarisë bankare, si një garanci më shumë për shëndetin financiar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›