Fullani: Bankat janë të gatshme të ofrojnë kredi

Rregull fiskal për të mbajtur borxhin nën-kontroll
“Bankat shqiptare janë tej mbushura me kapital dhe të gatshme të ofrojnë kredi. Duhet vetëm që ato të binden ndaj kërkesave dhe projekteve të qytetarëve apo bizneseve”. Kështu u shpreh sot guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani gjatë raportimit në komisionin e ekonomisë. Fullani tha se bankat shqiptare janë të gatshme të ofrojnë aktualisht kreditim për projekte ne sektorin e energjetikës apo të transportit.
Sipas Fullani, bankat tona i besojnë njëra-tjetrës dhe kjo e bën këtë sistem të jetë larg modeleve problematike në Itali dhe në Greqi.
Por, duke u ndalur tek niveli lartë i kredive të këqija, që për vitin 2011 arritën në 18.8 për qind të portofolit, Fullani deklaroi se do të vijojë sekuestrimi I pasurive të lëna peng. Sipas deputetëve të opozitës, ekzekutimi i kolateralit, duhet të jetë veprimi i fundit, në rastin e dështimit të një kredie.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani prezantoi në komisionin e Ekonomisë raportin vjetor për vitin 2011.
Sipas tij rritja ekonomike për vitin 2011 ishte 3.1, ndërsa borxhi publik ishte 58.1%. Ai tha se sistemi bankar në vend gjatë këtij viti ka qenë i qëndrueshëm ndërkohë që është rritur edhe kredi-dhënia nga bankat.
Interesit të deputetëve për rëndësinë e hapjes së bursës shqiptare, zoti Fullani iu përgjigj duke e parë të panevojshme aktivizimin e saj në kushtet aktuale.
Sipas tij, mungesa e një burse e mbrojti gjithashtu, Shqipërinë nga ashpërsia e krizës ekonomike. Ndër të tjera, Guvernatori i Bankës Qendrore kërkoi kryerjen e reformave të reja me qëllim mbështetjen e prodhimit vendas dhe nxitjen e konkurrueshmërisë.