Fullani: Bankat të kreditojnë shqiptarët
Tiranë-Ekonomia shqiptare duhet të jetë e kredituar nga bankat. Kështu është shprehur sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ai iu ka kërkuar bankave private të japin më shumë kredi në mënyrë që ekonomia të jetë e hapur.
“Do të kërkoja përsëri që të jeni më aktivë në tregun e parasë, në tregun ndërbankar dhe në tregun e letrave me vlerë”, u shpreh Fullani. Ndërsa shtoi se “ne kërkojmë që në politikat që ju aplikoni në lidhje me tregun financiar vendas, në lidhje me portofolin e investimeve të jeni më të pavarur nga selitë tuaja qendrore”.
Duke bërë një analizë të gjithë zhvillimeve financiare në vend gjatë vitit 2008, në mbyllje të tij, Guvernatori tha se politika fiskale është karakterizuar nga një grumbullim i të ardhurave buxhetore përtej kufijve të planifikuar dhe një përqendrim i shpenzimeve kryesisht në projekte infrastrukturore.
Përsa i përket krizës botërore dhe mundësisë së prekjes së vendit tonë, ai tha se “nuk do të doja të anashkaloja faktorët e brendshëm por gjithsesi, ajo që sot konsiderohet çështja më e nxehtë ka të bëjë me ambientin e përgjithshëm global. Ka kohë që parashikimet e agjencive të ndryshme, të institucioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror”.
“Do të ishte utopike dhe deri diku shprehje e mungesës së kujdesit, nëse do të mendonim se ekonomia jonë do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale”, përfundoi Fullani. Deklaratat u bënë gjatë një takimit të fundvitit që bënë bankat në operojnë në Shqipëri.