E Diel, 1 Nëntor 2026

Racizmi si Ideologji…! (dhe jo vetëm!)

Enri Hide*

Për ju politikanë! Kur racizmi godet në qendër të institucioneve të një shteti modern, kur fraza makabër për popujt fqinjë, me të cilët kanë bashkëjetuar për mijëra vjet (kjo vlen të paktën për ne, shqiptarët), dëgjohen në parakalimet ushtarake (ushtrinë duhet ta kuptoni si epiqendrën e fuqisë së një shteti...të paktën këtë kanë kuptuar me fuqi ata studiues e politikëbërës të marrëdhënieve ndërkombëtare, për të cilët ju minimalisht nuk keni dëgjuar), kur shqiptarët përdhu-nohen frazeologjikisht dhe kërcënohen, kur të drejtat e emigrantëve nëpërkëmben çdo minutë. kur çdo lajm mbi një krim fillon gjithnjë me frazën ‘alodapos – i huaji’, e kur një shqiptar kalohet në hell – jo në kuptim metaforik, e as në çfarëdo lloj kuptimi tjetër por i gjallë, me mish e kocka – nuk mund të pretendojmë se nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vazhdoni të ushqeheni e të vetëkënaqeni (për të mos përdorur ndonjë term tjetër më të rëndë) me pallavra të bukura të mëtuara orë e minutë nga injoranca juaj historike, në favor të një “fqinjësie të mirë” (këtu nuk po them të ushqeni popullin, se ai nuk para ju beson më në përsiatjet tuaja të politikës së jashtme...). Ajo e mirë ka qenë dhe e mirë do të jetë, por jo sepse kështu e doni ju, por sepse e tillë ka qenë lidhja midis dy popujve: ka kaluar gjithnjë nëpër strukturën e dyfishtë e aspak të rregullt të gjakut e të vëllazërisë. Por nuk dua të ndalem në këtë pikë.
Kur racizmi përdoret si ideologji stimuluese e masave dhe shfaqet në ekranet e televizioneve të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Turqisë, shteti ynë ‘reagon’ – jo nga dëshira, por nga pesha e madhe e impaktit politik, që ajo që ndodhi me koret raciste të ushtrisë greke pati në opinionin publik shqiptar. Por reagimi nuk duket dhe aq i çiltër. Nuk mund të jetë i tillë, për sa kohë që brenda të njëjtës ditë parlamenti ynë miraton marrëveshjen për varrezat e ushtarëve grekë, çuditërisht – megjithëse asnjë nuk e thotë me zë të lartë – në vijën imagjinare të pretendimeve territoriale greke. Sot (dje) pas ngjarjes më makabër të regjistruar në Ballkan që nga koha e gjenocidit milloshevician, Qeveria (sigurisht Parlamenti nuk mund të thuhet se ka ndonjë rol, për sa kohë Kryeministri ynë e përdor për kartona, por është një tjetër gjë, që nuk më përket mua ta diskutoj) do të përkujtojë çdo vit me grekët aktin ‘heroik’ të ushtarëve të tyre të rënë në tokën tonë.
Por problemi nuk qenkërka as te racizmi, as tek ideologjia raciste e identifikuar në një pjesë të mirë të institucioneve greke të sigurisë (polici, ushtri, shërbimet e inteligjencës, etj.), por në çdo qelizë të shoqërisë greke (asaj të sotmes, se ajo e lashta nuk u përket më atyre, por gjithë njerëzimit – madje shumë pak gjurmë politike të asaj shoqërie të lashtë mund të gjesh në sistemin e sotëm të kalbur politik grek). Racizmi dhe ideologjia e ‘hellit’ bëhet më therëse kur përdoret, zbatohet e implementohet, e fryrë nga problemet e jashtëzakonshme që po kalon shoqëria greke (e cila për rajonin malor të Kretës shpeshherë nuk meriton të quhet as ‘shoqëri’ – të paktën këtë ma kanë mësuar shumë artikuj të intelektualëve grekë nëpër gazetat e përditshme më prestigjioze), sidomos ato me natyrë ekonomike. Në kushte të tilla do të ishte shumë komode që vëmendja e publikut t’i përvidhet situatës më të nderë që po kalon shoqëria greke, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, duke u përqendruar e përqafuar ideologji të tilla populiste, si racizmi i kulluar. Kjo lehtësohet edhe nga një katalizator tjetër. Identiteti. Identiteti i popullit grek, i formësuar në mënyrën më nacionaliste të mundshme (pikërisht bazuar në mite tepër popullore si ‘pjekja në hell’ e grekëve nga turqit, etj. etj., se shembujt i kam pafund) duke kundërshtuar, e madje shpërfillur çdo identitet tjetër.
Një identitet i shprehur përmes kundërshtimit të gjithçkaje tjetër nuk është ‘greke’, i ndërtuar mbi kultin e të ‘kundërtit’, atij që është ‘jo-grek’, sikundër janë shprehur edhe shumë prej pedagogëve të mi të marrëdhënieve ndërkombëtare, kur i pyesnim mbi identitetin grek dhe rolin e shqiptarëve në periudhën e Rilindjes së kombit grek, nuk mund të anashkalohet. Madje rrezikshmëria e tij rritet në momentet kur shndërrohet në ideologji kombëtare. Nuk po flas këtu për gjithë klasën politike greke, porse për atë pjesë të shoqërisë dhe politikës të vendit fqinj (jo të vogël, e as të pakonsiderueshme) që vazhdon të mëtojë me të madhe në çdo debat për politikën e jashtme greke, se problemi kryesor i Greqisë në Ballkan nuk është as Maqedonia, as Bullgaria, as Mali i Zi, e as Serbia: por Shqipëria dhe faktori shqiptar në Ballkan. Këtë po jua pohon dikush që miqtë e tij më të mirë vazhdon t’i ketë grekë, që ka jetuar mes tyre vite të tëra, por që Greqinë është përpjekur ta hulumtojë në të gjitha versionet e saj. Dhe nuk u kam besuar kurrë atyre që, për hir të ‘miqësisë së mirë’ dhe ‘vëllazërisë’ mes dy popujve shpallin me të madhe se nuk duhet ta shohim në këtë mënyrë. A ka vallë mënyrë tjetër, përveç asaj që na kanë predikuar të ‘përndriturit’ e politikës shqiptare: mbylljes së syve dhe shtrirjen e faqes? Nuk po bëj thirrje këtu për t’u ngritur, por për të kërkuar me forcë respektimin e të drejtave të emigrantëve në Greqi. Ata janë gjallë, e duhen respektuar, pasi kontributi i tyre në Greqinë e sotme ka qenë i paçmueshëm. Ata nuk janë një grusht ushtarësh të vdekur në luftë përpara 60 e më shumë vitesh.
çuditërisht, shteti më evropian i Ballkanit shfaqet me dy fytyra: kur vështron nga Ballkani, ai tregon fytyrën klasike të ‘pseudo-patriotit’ dhe përsiatësit të interesave kombëtare me çdo kusht, të një shteti që ua vështirëson jetën në maksimum emigrantëve të tij (sidomos atyre shqiptarë), që përdor historinë si instrument të papërgënjeshtrueshëm të politikës së jashtme, që nuk ndalon seriozisht shfaqjen e formave raciste (sidomos makabër në Kretë, ku para disa kohësh një tjetër shqiptar u vra në mënyrë mizore), pafund, si këto; kurse kur vështron kah Evropës shfaq fytyrën e një shteti të vogël, me probleme të rënda ekonomike, të braktisur edhe nga aleatët e tij të kahershëm, të cilit nuk i ka më besë njeri në të dhënat që do t’i ofrojë edhe pasi të ketë marrë borxhin e famshëm e të shumëpritur ekonomik që do ta mbajë gjallë ekonominë greke (nuk e dimë ende nëse do ta ringjallë atë).
Por prapë, nuk dua t’i futem kësaj çështjeje, se vështirë do të dalim dot prej aty. Thjesht po përpiqem të them se, nëse ne përpiqemi të jemi sa më ‘objektivë’ (çfarëdo kuptofshit me këtë term) me mënyrën se si e shohim historinë tonë, kjo nuk ndodh aspak me grekët, të cilët edhe pse pasi kanë përfunduar një apo dy universitete (të shkencave sociale e humane e kam fjalën) nuk i kanë dëgjuar kurrë arvanitasit dhe rolin e tyre në historinë e themelimit të shtetit grek. Por kjo është një politikë që nuk më përket mua ta gjykoj. Ajo që dua të theksoj është fryma që përshkon çdo tekst që ka lidhje me kombin grek, greqisht apo anglisht i shkruar ai: një frymë e tepërt lartësimi, një frymë që, nëse keqinterpretohet siç duhet, prodhon në rastin më të skajshëm: pjekje njerëzish në hell. Por, pas debatit më të fundit, disa thanë që nuk i duhet përgjigjur urrejtjes me urrejtje. Jam shumë dakord. Por urrejtjes i duhet përgjigjur minimalisht me dinjitet, e maksimalisht me patriotizëm: të dyja këto i kanë munguar politikës sonë të jashtme!

*Autori është pedagog
i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
dhe Gjeopolitikës në Universitetin Evropian të Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›