E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Ekzekutimi i kolateraleve të bëhet në kohë

"Ekzekutimi i kolateraleve mbetet shtyllë e fuqishme për konsolidimin e sistemit bankar. Kreditë e pashlyera këto vite janë rritur 15 %, çka tregon se ka pamundësi shlyerje periodike të detyrimeve ndaj bankave", theksoi Fullani.

Ai theksoi se Banka e Shqipërisë po i kushton vëmendje bankave në këtë drejtim.
    
Duke pohuar se nuk mungojnë rastet kur nga mosshlyerja e plotë e kredive është kaluar deri në sekuestrim të pasurive në hipoteka, Fullani parashtroi problematikën që shoqëron këtë proces.
    
“Vështirësitë duhen të shihen jo vetëm të natyrës ligjore, por dhe asaj burokratike të institucioneve të përfshira në këtë proces", shtoi më tej guvernatori i BSH-së.

Sipas investigimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë, problemet sipas kategorive lidhen kryesisht me veprimet përmbarimore, ku vërehen zgjatje të procedurave, marrja e masave nga gjykatat pa marrë parasysh bankat, mosthirrja e tyre në procese gjyqësore, çka ka ndikuar në rritjen e shumave për shlyerje nga kredimarrësit, masat për sigurimin e padive, ku veprimet kryhen pa palët e dëmtuara, duke shkelur parimin e barazisë.
      
Fullani theksoi se në afatet e gjykimit të çështjeve që lidhen me zbardhjen e vendimeve, konstatohen vonesa, shtyrje afatesh, çka favorizon kredimarrësit me probleme si dhe rëndim të bankave dhe kritikoi rastet për vendosje fiktive të sekuestros, si faktor që tregon mungesë transparence.  
     
Por, gjithashtu, ai vlerësoi se falë kuadrit të përmirësuar ligjor, së fundi vihet re një përmirësim i marrëdhënies me shoqëritë përmbaruese, rritje të efektivitetit me procedurat e njoftimeve, si dhe paanshmëri në trajtimin e çështjeve.
     
Fullani parashtroi detyrat për të ardhmen për të përmirësuar mbledhjen e kolateraleve nga kredimarrësit që nuk mund të shlyejnë kreditë e marra në banka.
     
Ndër këto masa, ai kërkoi organizimin e trajnimeve me institucionet palë për kolateralet, nxitjen e  unifikimit të vendimeve për çështje konfliktuale nga Gjykata e Lartë, mundësinë e plotësimit të kuadrit ligjor për eliminimin e problemeve të identifikuara, etj.
      
Banka e Shqipërisë vëren se sektori bankar nuk ka përjetuar ngërç, pasi i është dhënë mbështetja e nevojshme me politika të kujdesshme të ndërmarra në kohë.
     
"Bankat janë krijuar për të dhënë kredi, por duhet të mbajnë parasysh injektimin e biznesit që përbën stabilitet”, tha Fullani, që siguroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë të ruajë stabilitetin financiar për të dhënë më shumë kredi për binesin dhe investimet e huaja.  
    
Sipas tij, stadi aktual i zhvillimit pozitiv të ekonomisë jep mundësi për reforma afatgjata, parë nga një koncept jo vetëm kombëtar dhe rajonal, por dhe më gjerë. "Kjo është sfidë e vështirë që kërkon koordinim", tha Fullani.
     

Guvernatori i BSH-së vlerëson se rritja ekonomike në vitin 2010 ishte 3,9%, që u mbështet nga rritja e eksporteve të prodhimit vendas. "Pritet që kjo rritje të arrijë 5% në dy vitet e ardhshme. Norma e inflacionit është nën kontroll dhe brenda vitit do të jetë nën kontroll”, tha Fullani.
    
Guvernatori i BSH-së theksoi se ndonëse kreditimi ka ritme të ulta, krahasuar me vitet e tjera, tendenca tregon rritje. "Aktiviteti i sistemit bankar është rritur me 18% në depozita dhe kreditimi me 10% për muajin maj 2011”, tha Fullani. Ai garantoi se "sistemi bankar ka likuiditet në nivel të kënaqshëm".
    
Mbështetur në inspektimet që ka kryer në vijimësi Banka e Shqipërisë, Fullani theksoi se të gjitha bankat janë të afta të veprojnë edhe në rast të goditjes ekstreme në ekonomi.
    
"Sistemi ynë është paraaktiv dhe parandalues", tha ai, duke theksuar politikat e ndjekura për mbulimin e çdo leku të dhënë hua me kolateral të mjaftueshëm, ndalimin e kreditimit me monedhë të pambrojtur të huaj, krijimi i fleksibilitetit dhe strukturimit të kredive ekzistuese dhe kredisë së re.
     
"Politika monetare dhe stabiliteti financiar janë të lidhura dhe ecin dorë për dore", tha Fullani.
     
Duke vlerësuar kreditimin e ekonomisë si faktor i rëndësishëm dhe burim i qëndrueshëm i të ardhurave, Guvernatori i BSH-së tha se "rëndësi ka cilësia e tij dhe menaxhimi i rreziqeve që lidhen më këtë proces”.
     
Duke u ndalur tek tregu u shitjes së pasurive të paluajtshme, Fullani theksoi nevojën e thellimit të reformës strukturore të tij.
      
"Tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme dhe letrave me vlerë të korporatave, duhet ndërtuar si një treg i hapur që funksionon 24 orë. Ky është parimi bazë i tregut. Pa këto masa, tregu kalon në ngërç, bëhet i papërdorshëm, rrit kredinë me probleme”, tha Fullani. /Start/

                                                                                             2011-07-12 13:58
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›