E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Janë rritur kreditë e këqija, borxhlinjve do iu merren shtëpitë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka prezantuar dje në Komisionin e Ekonomisë raportin për vitin 2011. Fullani tha se rritja ekonomike në vitin 2011 ka qenë 3.1 %, borxhi publik 58.1% ndërsa deficiti buxhetor 3.5%. Ai u shpreh se ka pasur rritje të kënaqshme të eksporteve gjatë 2011-ës ndërkohë që sistemi bankar vijon të jetë solid dhe me likuiditete të mjaftueshme për të mbështetur ekonominë.
Sfida për 2012-ën
Por guvernatori shtoi se viti 2012 është sfidë për ekonominë, ndërkohë që vitet e kaluara nxorën në pah brishtësinë e ekonomisë. Sipas tij duhet të rritet prodhimi dhe duhet një rritje e qëndrueshme ekonomike, ndaj dhe për këtë nevojiten reforma strukturore. Guvernatori Fullani ka folur për një ulje përgjatë vitit të kaluar të kërkesës konsumatore, që sipas tij ka qenë shumë e dobët.
Kreditë e këqija
Një tjetër problem i evidentuar kanë qenë kreditë e këqija. Sipas Fullanit pasuritë e lëna peng nga qytetarët për marrjen e kredive do të sekuestrohen për të paguar borxhin që ata u kanë bankave. Banka e Shqipërisë është e vendosur të ashpërsojë masat për ekzekutimin e kolateralit, nisur nga shqetësimi i rritjes së kredive me probleme. Niveli i mbulimit me kolateral të kredive me probleme është rreth 85 %. Rreth 55 % bankat kanë krijuar fondet shtesë në garantimin e këtyre kredive. Do të vazhdojmë ekzekutimet e kolateralit. Banka e Shqipërisë është mbështetëse e ekzekutimit të kolateraleve, deklaroi Fullani.
Opozita
Deputetët e opozitës kanë kërkuar nga Banka e Shqipërisë të rrisë cilësinë dhe nivelin e kreditimit në ekonomi, si një mundësi për të ulur huamarrjen me probleme. Lidhur me kreditë e këqija, në një analizë të thelluar të Bankës së Shqipërisë në raportet e përkeqësimit të kredisë në rreth 18.5 % ju me ligj jeni të mandatuar të kontrolloni cilësinë e menaxhimit në sistemin bankar të vendit. Sa është në këtë kredi të keqe të sistemit bankar shqiptar pjesa e shtëpive që rrezikojnë të humbasin shqiptarët, u shpreh deputeti socialist Malaj.
Llojet e kolateralit
Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë ka vetëm të dhënat në total për kreditë me probleme dhe jo të ndara në llojet e kolaterelit që është lënë peng. Fullani tha se, nëse niveli i kredisë me probleme arrin në 50 % totalit, vetëm dy banka do të kenë nevojë për kapital shtesë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›