E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parku Ndërkufitar i Alpeve, lidh shqiptarët e tre vendeve

Parku Ndërkufitar i Alpeve do të afrojë më tepër shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Bashkëpunimi ndërkufitar dhe zhvillimi ekonomik e rural i qëndrueshëm në krahinën e Bjeshkëve të Namuna (Shqipëri)/Prokletije (Mal i Zi), ka qenë në qendër të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Organizatës Holandeze për Zhvillim (SNV). Ndërsa, pjesë e këtij bashkëpunimi pritet të jetë së shpejti dhe Kosova. Ky memorandum, u nënshkrua nga ministri Lufter Xhuveli dhe Drejtori i SNV-së për Shqipërinë Jacobus Cortenraad. Ky dokument vjen në kuadër të shpalljes së Parkut Ndërkufitar të Alpeve, që përfshin hapësirën midis Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Sipas Ministrisë sonë të Mjedisit, "ky bashkëpunim do të mundësojë realizimin e komuniteteve të qëndrueshme rurale dhe një peizazh ndër-kufitar natyror tradicional përmes forcimit të qeverisjes, lidhur me çështjet mjedisore në zonat e mbrojtura të Harkut Dinarik, ku banorët, bizneset dhe qeveria kanë në dorë kontrollin mbi zhvillimin dhe ku mjedisi natyror e shumëllojshmëria e botës së gjallë (biodiversiteti) trajtohet si një burim pasurie, duke treguar kujdesin dhe investimin e nevojshëm". Në projektin për shpalljen e Parkut Ndërkufitar të Alpeve, pritet të përfshihet një sipërfaqe e konsiderueshme e Alpeve të Shqipërisë. "Rreth 3 për qind e sipërfaqes së vendit, ose 80-100 mijë hektarë në Alpet tona, pritet që të jenë pjesë e këtij parku", theksuan përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit.

Bjeshkët e Namuna janë valëzim kreshtash malorë në Alpet shqiptare, me lartësi 2400-2500 metra, me gjatësi 12 kilometra dhe me gjerësi 5-7 kilometra. Disa nga majat e larta janë Radohina, Shëniku, Riskli, Shtogu, etj. Ndërsa Bjeshkët e Namuna të Kosovës janë zona malore më e madhe e Kosovës dhe gjenden në pjesën perëndimore të saj. Këtu maja më e lartë është Gjergjevica, 2656 metra. Në këto bjeshkë buron Drini i Bardhë dhe disa degë të tjera lumenjsh.

Në këtë projekt përfshihen elementë të turizmit, ekoturizimit, aktiviteti tradicional i banorëve të zonës, ndërkohë që pjesë e tij do të jenë dhe përpjekjet për përmirësimin e infrastrukturës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›