E Diel, 1 Nëntor 2026

Kequshqyerja, shtohet numri i fëmijëve të sëmurë

Konsumi i ushqimeve jocilësore është shkaku kryesor i shtimit të rasteve të sëmundshmërisë te fëmijët. Ky ka qenë konstatimi i mjekut pediatër njëkohësisht dhe shefi i reanimacionit të spitalit Pediatrik Fier, Dhimitër Dhamo, i cili është shprehur se kjo periudhë shënon çdo vit një shtim të sëmundshmërisë foshnjore kryesisht me shqetësime gastro-intestinale të shkaktuara nga konsumi i ushqimeve jocilësore, apo atyre të skaduara.

"Nuk mund të them se situata është alarmante, por mund të them që kemi një rritje të dukshme të fëmijëve të sëmurë. Fakti që në pjesën më të madhe të rasteve, fëmijët e paraqitur tek ne kanë qenë me diarre, të vjella shpeshherë dhe me temperaturë ka faktuar se ushqimet që ata kanë përdorur ishin shkaku kryesor. Fëmijët e emigrantëve janë pacientët më të shpeshtë. Këtu nuk përjashtohen të sëmurë të tjerë me viroza të stinës", sqaron mjeku Dhamo.

Në fakt, pak ditë më parë, përgjegjësja e Zyrës së Veterinarisë në Bashkinë e Fierit ka dalë në një konferencë për shtyp, ku kërkoi vëmendjen e konsumatorit në përdorimin masiv të bulmetit kryesisht , i cili vazhdon të blihet në rrugë ambulante, duke mos pasur në këtë mënyrë asnjë siguri.

"Sa i bardhë është qumështi nga jashtë, aq i rrezikshëm mund të jetë nga brenda kutisë, mund të përmbajë baktere nëse ai nuk pasterizohet", është shprehur përgjegjësja e Zyrës së Veterinarisë pranë Bashkisë së Fierit, Luiza Strati.

"Po ta krahasojmë këtë periudhë me atë të një viti më parë, ajo është po e njëjtë. Kjo dyndje është çdo herë me ardhjen e emigrantëve dhe kjo për shkak të ndryshimit të ambientit, ushqimeve që ata përdorin dhe virozave të stinës", thekson mjeku pediatër. I pyetur në lidhje me rastet të dyshuara të virusit AH1N1, Dhamo është përgjigjur: "Deri tani, në pediatri nuk kemi pasur asnjë rast të dyshuar me këtë virus".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›