E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: S'ka rivlerësim të votave në Qarkun e Fierit

KQZ-ja s'miraton aktin për shpalljen pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 3 qendra votimi të Fierit


TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë dje në një situatë kaotike, teksa ka rrëzuar kërkesën e dy anëtarëve të djathtë për rivlerësim dhe rinumërim të votave në të gjithë Qarkun e Fierit, ndërsa nuk ka mundur të miratojë aktin për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 3 qendrat e votimit në komunën Portëz të po këtij qarku, ku më 28 qershor nuk u zhvilluan zgjedhje.


Përmes tensionit dhe përpjekjeve për të kapur njëri-tjetrin mat, anëtarët dhe përfaqësuesit e partive në KQZ kanë debatuar për më shumë se tre orë në lidhje me këto çështje, por pa mundur në fund të dilnin në një vendimmarrje të qartë, të paktën për shpalljen e pavlefshmërisë së këtyre tre qendrave, për të cilat qe thirrur edhe mbledhja.


Rinumërimi


Ndërsa kreu i KQZ-së, Arben Ristani, kishte thirrur dje mbledhjen për të kryer një akt formal, siç ishte ai për të shpallur të pavlefshëm votimet në tre qendrat e votimit në komunën Portëz, pavarësisht se edhe ai, jashtë çdo lloj afati ligjor, diskutimet në këtë institucion kanë marrë një zhvillim jo dhe aq të papritur.


Dy anëtarët e djathtë të këtij komisioni, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj, pavarësisht se për katër ditë me radhë kishin bllokuar me vendimmarrjen e tyre kërkesat e homologëve të tyre të majtë për rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarqet Berat, Durrës, Tiranë dhe Shkodër, dje kanë ndjekur të njëjtën praktikë, dhe duke iu referuar nenit 138 të Kodit Zgjedhor, pika 3, kanë kërkuar të njëjtën gjë edhe për votat në Qarkun e Fierit.


Një kërkesë kjo që ata e kanë mbështetur në nevojën për të bërë verifikimet e duhura për të gjitha votat e këtij qarku, pasi gjatë hetimit administrativ, siç kanë theksuar ata në kërkesën e tyre, janë vënë re shumë mangësi. "Gjatë numërimit ne kemi vërë re shumë parregullsi.


Me qëllimin final që të bëhet një hetim sa më i plotë administrativ, unë së bashku me kolegun tim Osmanaj, kërkojmë që në bazë të nenit 138/3, të bëhet rivlerësimi dhe rinumërimi i të gjitha votave në Qarkun e Fierit.", - tha anëtarja e KQZ-së, Vera Shtjefni, duke u përpjekur në një farë mënyrë që të vërë në provë edhe qëndrimin e kolegëve të saj të majtë, të cilët më parë ishin shprehur se një kërkesë e tillë nuk votohet dhe hyn direkt në zbatim.


Lojë kjo që duket se është kuptuar menjëherë nga anëtarët e majtë të KQZ-së, të cilët nuk kanë rënë pre e një provokimi të tillë, por kanë deklaruar publikisht se ajo është një e drejtë e pamohueshme që ligji zgjedhor u jep dy anëtarëve.


Megjithatë, siç bëri të ditur në këtë tryezë, nënkryetarja Subashi, kjo kërkesë ishte jashtë objektit të çështjes, për të cilën ishte thirrur mbledhja, duke argumentuar në të njëjtën kohë se ajo duhej bërë gjatë momentit të hetimit administrativ.


"Lidhur me kërkesën do i mbështesja dy kolegët, edhe pse nuk na mbështetën duke sjellë argumente ligjore", - tha Subashi. Pas një sërë diskutimesh, kreu i KQZ-së Ristani, ashtu siç edhe ka bërë më parë, e ka hedhur kërkesën e dy anëtarëve të djathtë në votim.


Por, përsëri duke iu përmbajtur një qëndrimi parimor, anëtarët e majtë, por kësaj here edhe dy anëtarët e djathtë që kishin bërë propozimin, nuk kanë marrë pjesë në votim, duke iu përmbajtur logjikës që përcakton ligji, se një kërkesë e tillë nuk votohet. Për pasojë, kërkesa ka marrë vetëm dy vota kundër, duke mos plotësuar kuorumin e duhur, çka e ka bërë atë të pavlefshme.


Pavlefshmëria


Më pas, KQZ-ja është përfshirë në debat lidhur me objektin e çështjes, për të cilën edhe ishte thirrur, pra pavlefshmëria e tre qendrave të votimit në Qarkun e Fierit.


Por edhe këtu ka pasur dallime të mëdha në qëndrimet mes palëve, të cilat kanë bërë interpretime të ndryshme të nenit 160 të Kodit Zgjedhor, ku dhe përcaktohet rruga që ndiqet për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në një apo në disa qendra votimi.


Të djathtët, duke iu përmbajtur pikërisht logjikës se diferenca mes herësit të mandatit të nëntë të PS-së dhe herësit të 7-të të mandatit të PD-së është vetëm 157 vota, kanë deklaruar se këto tre qendra ndikojnë në ndarjen e mandateve dhe, për rrjedhojë, duhej bërë një hetim administrativ për të përcaktuar shkaqet thelbësore të moszhvillimit të zgjedhjeve në këto qendra, duke paralajmëruar kështu një kërkesë të mëpasme për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë zonën.


Ndërsa të majtët e kanë interpretuar nenin 160 të kodit jo të vetëm, por të shoqëruar me nenin 161, ku përcaktohet momenti kur dhe mund të përsëriten zgjedhjet në një zonë të caktuar. Sipas tyre, ndikimi që mund të kenë këto vota të kësaj qendre, që në total ishin 2028, duhet parë me shumën e votave që i ka rënë një mandati në këtë qark, pra një mesatareje prej rreth 9.300 votash.


Në përfundim, kreu i KQZ-së e ka hedhur në votim aktin e paraqitur nga administrata për pavlefshmërinë e këtyre zgjedhjeve, por pa mundur që ta miratojë, pasi morri vetëm votat e 4 anëtarëve, ndërsa për të marrë fuqi juridike kërkonte 5.


Pro këtij akti kanë votuar Ristani, Varfi, Shtjefni dhe Zguri, ndërsa dy anëtarët socialistë, Subashi dhe Lazaj, kanë votuar kundër, pasi kanë kërkuar që më parë t'i jepej zgjidhje kërkesës së dy anëtarëve për rivlerësim dhe rinumërim të votave në këtë qark. Tashmë i përket Kolegjit Zgjedhor t'i japë një zgjidhje kësaj çështjeje, ku me shumë gjasa demokratët pritet të bëjnë edhe ankimimin e tyre.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›