E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Shqiptarët të shtrëngojnë rripin

Sipas guvernatorit të BSH-së, popullata konsumon më shumë nga sa prodhon dhe rreziku i futjes së vendit në krizë është shumë pranë

Shqipëria është një vend që po konsumon më shumë nga sa prodhon dhe po e mbulon këtë konsum duke marrë para borxh. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Adrian Fullani, deklaroi dje në Kukës, në një takim me banorët e zonës se vendi rrezikon krizë nëse situata vijon të jetë e tillë. “Ne konsumojmë më shumë nga sa prodhojmë. Ky konsum ekstra i financuar kryesisht nëpërmjet kredisë, gjen mbështetje në pritshmëritë tona për të ardhura më të larta në të ardhmen”, - deklaroi z.Fullani, duke paralajmëruar se edhe kriza e sotme e ekonomive të zhvilluara u shkaktua nga i njëjti fenomen. “Në nivel shtëpiak apo individi, krijohet një deficit përderisa të ardhurat e siguruara janë të pamjaftueshme për të mbuluar konsumin shtëpiak apo atë individual. Kriza financiare ndërkombëtare ka origjinë te konsumi i sektorit shtëpiak përtej burimeve, duke siguruar financime shtesë nga kredia bankare dhe rritja e çmimit të pasurive të paluajtshme”, - tha Fullani. Sipas tij, pasojat mund të mbërrijnë shpejt dhe me pasoja të rënda.

“Për pasojë, mund të kemi një korrigjim drastik dhe të sforcuar të sjelljes konsumatore dhe modelit të konsumit”, vijoi ai. Familjet nuk mund të paguanin më borxhet ndaj bankave dhe të mbanin të njëjtinnivel konsumi. Këto zhbalancime individuale të marra së bashku, u shfaqen në nivel makro, kryesisht në formën e rënies së menjëhershme të kërkesës, në ngadalësim të aktivitetit ekonomik dhe në zhvlerësim të kursit të këmbimit (zhvlerësimi i monedhës amerikane). Natyrisht edhe sistemi financiar nuk mund t’i shpëtonte kësaj epidemie duke u vënë në vështirësi shumë serioze.

Vendi i zhytur në borxhe

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, vendi ynë sakaq ka hyrë në spiralen e konsumit përtej mundësive reale të vendit. Të nxitura nga disa faktorë, mes të cilave, leku i fortë, deficitet e Shqipërisë janë zmadhuar deri në atë masë sa të përbëjnë shqetësimin kryesor të autoritetit të mbikëqyrjes monetare. “Një rregullim automatik dhe i menjëhershëm i tyre, do të shkaktonte një korrigjim të kurseve të këmbimit drejt zhvlerësimit të shpejtë dhe të fortë të monedhës kombëtare, rënie të konsumit privat dhe publik, e për rrjedhojë, tkurrje të aktivitetit ekonomik në atë shkallë, sa të gjenerojë krizë të sektorit të jashtëm me potencialin për t’u përhapur në ekonomi duke kërcënuar stabilitetin financiar të vendit”, - tha guvernatori.

Gjatë vitit të kaluar, rritja e fortë e importeve të shkaktuar nga çmimet e larta të naftës dhe energjisë elektrike, shoqëruar nga shumëfishimi i importit të energjisë elektrike dhe nga çmimet e larta të mallrave të tjera, zmadhoi deficitin tregtar të Shqipërisë në 2.3 miliardë euro. Deri më sot, deficiti i lartë tregtar është mbuluar përgjithësisht nga paratë që sjellin emigrantët në shtëpi dhe në një masë më të vogël nga investimet e huaja, por gjatë viteve të fundit, këto burime po rezultojnë të pamjaftueshme. Leku sakaq ka filluar të vendoset nën presionin e zhvlerësimit përballë euros dhe dollarit si pasojë e deficiteve. Në rastin më të mirë, vendi do të vuajë çmime shumë të larta të mallrave të importit, ndërsa ekspertët druhen se situata mund të degjenerojë në krizë të gjithanshme.

“Rritja e pagave do të sjellë inflacion”

Z. Fullani përmendi si shkaktarë të këtij rreziku, “konsumin e lartë të familjeve dhe individëve”, por nuk la pa përmendur edhe rolin e qeverisë. Rritja e fundit e pagave dhe pensioneve sipas Fullanit, rrezikojnë të prodhojnë inflacion në një kohë të dytë.

“Për momentin, rreziku më i madh vjen nga efektet e vonuara që shkaktojnë disa zhvillime të caktuara si për shembull, rritja e pagave përtej një niveli logjik të pranuar (ndryshe quhen efekte të raundit të dytë). Çdo rritje e tillë nuk do të bënte gjë tjetër vetëm se do të gjeneronte inflacion të ri, duke imponuar një rritje tjetër pagash, e cila nga ana saj do të prodhonte përsëri dhe përsëri inflacion. Më lejoni të sqaroj se kjo nuk është rruga e duhur. Spiralet paga – inflacion janë studiuar relativisht herët dhe përbëjnë recetat më pak të përshtatshme, në kompensimin e pasojave të inflacionit”, - deklaroi z.Fullani. Qeveria rriti pensionet me 10-15% në 1 korrik të këtij viti si dhe pagat në një përqindje ende të pacaktuar, si dhe ka premtuar rritje tjetër pagash e pensionesh në 1 majin e ardhshëm për efekte zgjedhore. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar edhe në vitet e shkuara, se përdorimi i buxhetit për qëllime elektorale mbart pasoja negative që në total rëndojnë mbi qytetarët e thjeshtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›