Financat: 2,8 miliardë lekë për pensione, paga dhe ndihmën ekonomike
18/12/2009 Shpërblimet për pensionistët dhe buxhetorët merren brenda dhjetorit
“Të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar”. Ky është premtimi që vjen nga Ministria e Financave, duke reaguar ndaj disa deklaratave, sipas saj të pavërteta të opozitës, në lidhje me pagat, pensionet dhe shpërblimet e fundvitit. Në reagimin e zyrtarëve të Financave theksohet se brenda muajit dhjetor do të përfundojnë edhe të gjitha pagesat e prapambetura prej 400 milionë lekësh për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike. “Ministria e Financave sqaron se lajmet e shpërndara për pamundësi financiare të pagimit të pensioneve, pagave dhe shpërblimeve të fundvitit janë të rreme dhe dashakeqe. Gjendja financiare e llogarisë së thesarit mundëson respektimin dhe zbatimin e plotë të buxhetit të shtetit miratuar në Parlament”, - nënvizohet në deklaratën për mediat. Ministria e Financave bën me dije se do të paguajë brenda muajit dhjetor të gjitha shpërblimet prej 1 miliard lekësh, sipas vendimit të qeverisë nr. 1215 dt. 16.12.2009, për punonjësit e administratës publike në masën 10 mijë dhe 15 mijë lekë. Po kështu, Ministria e Financave brenda muajit dhjetor do të kryejë pagesat në shumën 1.4 miliardë lekë, sipas vendimit të qeverisë nr. 1216 dt. 16.12.2009 për shpërblimin e të gjitha kategorive të pensionistëve në shumën 2 500 lekë për pension, përfshirë pensionet e pleqërisë, familjare, të invaliditetit, ish-minatorët, ish-punonjësit e industrisë ushtarake dhe të gjithë kategoritë e tjera me trajtim pensioni të parakohshëm dhe trajtim të veçantë financiar. Vendimi për shpërblimet ndaj këtyre kategorive është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë, i paraprirë nga një takim i kreut të qeverisë, Sali Berisha, me kreun e Financave, Ridvan Bode, për të analizuar mundësitë e realizimit të këtij stimuli financiar. Ashtu si çdo vit i mëparshëm, gjatë këtyre katër-pesë viteve të fundit pensionistët dhe buxhetorët kanë përfituar shpërblime me rastin e festave të fundvitit, gjë që nuk mund të mungonte edhe këtë vit, me gjithë vështirësitë e krijuara për shkak të efekteve të krizës ekonomike që përfshiu të gjithë globin.