E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit me paga të ulëta,subvencion për energjinë

18/12/2009  Përgatitet drafti i ri
Një tjetër kategori e buxhetorëve do të përfshihet në skemën e subvencionit që qeveria ka planifikuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Burime zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë bëjnë të ditur se po përgatitet një draft i ri për kategoritë që do të subvencionohen për çmimin e energjisë, i cili do të dërgohet shumë shpejt në qeveri për miratim. Në të do të përfshihen edhe punonjësit e administratës buxhetore që kanë paga të ulëta, nën 350 mijë lekë. Numri i përfituesve dhe shuma e detajuar do të bëhen publike gjatë mbledhjes së radhës të qeverisë. Aktualisht, sipas Ministrisë së Ekonomisë nga vendimi i kompensimit përfitojnë pensionistët dhe ata që marrin ndihmë ekonomike, por edhe punonjësit e administratës publike dhe të gjithë buxhetorët që kanë një rrogë më të ulët se 35 mijë lekë. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në buxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar rreth 2 miliardë lekë në fondin e kontigjencës. Ky fond do të përdoret pikërisht për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë, për familjet në nevojë, pas vendimit të marrë nga Enti Rregullator i Energjisë për shtrenjtim deri në 13 për qind të tarifave. OSSH-ja kërkoi rritje deri në 23 për qind për vitin 2010. Deri tani nga subvencionim për rritjen e çmimit të energjisë kanë përgatitur 270 mijë persona, të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Por përfshirja edhe e buxhetorëve, pritet ta rrisë numrin me rreth 10 mijë të tjerë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›