E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani apel politikës, mirëkuptim për reformat e integrimit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 04-02-2011 12:17

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka kërkuar mirëkuptimin e politikës dhe të agjentëve të ekonomisë, për të krijuar kushtet e duhura për mbarëvajtjen e reformave që kërkon integrimi i vendit në BE. Shqipëria është renditur përkrah vendeve në garën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe kjo detyron bërjen e sa më shumë reformave, tha Fullani, dje, duke folur para bankierëve, ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësuesve të qeverisë. Ai u shpreh se në asnjë moment zhvillimi i vendit nuk duhet të ndalet. Sipas guvernatorit, çdo potencial duhet shfrytëzuar. "Investimet e huaja dhe reformat strukturore janë një element shumë i rëndësishëm, të cilët kanë një ndershmëri shumë të madhe ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike. Ndaj kërkohet një qetësi, mirëkuptim, bashkëpunim mes të gjithë agjentëve, midis politikës dhe ekonomisë, në mënyrë që ky program ekonomik shqiptar të përqaset dhe të koordinohet me programin rajonal dhe europian. Tashmë gara për në Europë është hapur, të gjitha vendet po garojnë për të. Çdo qëndrim në vend nuk është qëndrim në vend, por është ecje prapa", tha Ardian Fullani, Guvernatori Bankës së Shqipërisë. Fullani e mbajti fjalën në promovimin e librit Epoka e Trazirave. Ky botim vjen në Shqipëri dhe është shkruar nga Alan Greenspan, ish-drejtues i Federal Reserve. Në fjalën e tij, guvernatori theksoi se në libër, ndër të tjera, pasqyrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, shumë ide në lidhje me disa nga sfidat dhe objektivat më të cilat përballet ekonomia jonë. Duke marrë shkas nga përfundimet e autorit, Fullani vuri theksin në disa prej këtyre çështjeve, siç janë: pavarësia e Bankës Qendrore, vazhdimi i reformave strukturore, bashkëpunimi rajonal dhe domosdoshmëria për të thithur sa më shumë investime të huaja. Në lidhje me pavarësinë është e rëndësishme që banka qendrore të jetë e pavarur, transparente, e përgjegjshme, por jo e izoluar. Bashkërendimi me institucionet e tjera vendimmarrëse është i rëndësishëm. Po kaq i rëndësishëm është thellimi i mëtejshëm i procesit të reformave strukturore. Sipas tij, investimet e huaja dhe reformat strukturore, konsiderohen një element shumë i rëndësishëm për ekonominë e një vendi”,- theksoi guvernatori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›