E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti ajror, rritje 10 % më 2010

SHKRUAN: Blerina Hoxha 04-02-2011 12:19

Numri i pasagjerëve në Aeroportin e Tiranës u rrit me 10.2% gjatë vitit 2010. Në një njoftim zyrtar, Tirana International Airport bëri të ditur se vitin e kaluar, aeroporti ju shërbeu më shumë se 1.5 milionë pasagjerëve, duke shënuar kështu një tjetër rritje vjetore. Rritje njohu edhe transporti i mallrave me 4.4%, ndërsa numri total i fluturimeve u rrit me 3.5%. Për vitin 2010, kompania Belle Air zgjeroi dominimin e vet në tregun e fluturimeve. Me një diferencë të thellë, vijojnë shoqëritë Alitalia me 10.6%, Albanian Airlines me 7.4%, Austrian Airlines me 5.7% dhe Turkish Airlines me 4.9%. Në Aeroportin e Tiranës operojnë dymbëdhjetë linja ajrore, të cilat e lidhin kryeqytetin me 30 destinacione të ndryshme. Nga 1.5 milion pasagjerë, afro 44% e tyre udhëtuan me Belle Air. Aeroporti i Tiranës ka njohur rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve në vitet e fundit, çka ka sjellë rritjen e numrit të linjave dhe destinacioneve. Kompania parashikon se me liberalizimin e vizave, për vitin 2011, pritet një numër përsëri në rritje i udhëtarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›