E Shtunë, 31 Tetor 2026

TVSH për profesionet e lira, çmimet rriten 20%

SHKRUAN: Blerina Hoxha 04-02-2011 12:15

Të gjithë profesionet e lira, të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, nga ky muaj nisin pagesën e TVSH-së

Shërbimet dentare, noteriale, të avokatisë kontabilistë dhe të profesioneve të tjera, të cilësuara të lira, ka gjasa të rriten me 20 për qind që nga ky muaj, për shkak se ka hyrë në fuqi ligji i ri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, i cili përjashton pragun e patatuar 2 milionë lekë, që ishte më parë për këto profesione. Kështu të gjithë profesionet e lira të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël, i regjistruar dhe kontabilist i miratuar, vlerësues i pasurisë; dhe shërbimet hotelierë, duhet të lëshojnë fatura për shërbimet që kryejnë dhe me këtë rast duhet të instalojnë kasën fiskale. Që nga 1 shkurti, për këto profesione është hequr pragu i TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, sqaron se duke filluar nga data 1 e këtij muaji, tatimpaguesit që janë të regjistruar aktualisht, me qarkullim deri në 2 milionë lekë, të cilët ofrojnë shërbime në veprimtaritë ekonomike si me sipër, por nuk janë të regjistruar për TVSH-në, duhet të paraqiten pranë Drejtorive Rajonale Tatimore të juridiksionit, që i përkasin për të ndryshuar përgjegjësinë tatimore, pra do të aktivizohen për TVSH-në. Sipas udhëzimit të tatimeve, që në momentin e aktivizimit për TVSH-në, këta tatimpagues do të lëshojnë dhe faturojnë TVSH në faturat që do të lëshojnë për shërbimet që kryejnë. Për t’u pajisur me fatura tatimore me TVSH do të drejtohen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore. Këta tatimpagues, në zbatim të VKM-së, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në. Gjithashtu, deklarimi dhe pagesa për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP, do të vazhdojë të jetë çdo 3 muaj. Gjithashtu, tatimet sqarojnë se raportimi i transaksioneve bëhet një muaj me vonesë, çdo datë 5. Nga ana tjetër, brenda datës 14 të po të njëjtit muaj të bëjë deklarimin elektronik të Formularit të Deklarimit dhe Pagesës së TVSH-se, nëpërmjet formatit elektronik të FDP-se, në faqen personale që tatimpaguesi disponon “Tatimet e mia” në website-n e DPT-së. Tatimet lajmërojnë gjithashtu se, në rast se tatimpaguesi nuk paraqitet vullnetarisht për të marrë përsipër përgjegjësinë tatimore për TVSH-në, Drejtoria Rajonale Tatimore do të procedojë, sipas ligjit për aktivizimin e tyre, si tatimpagues të TVSH-së dhe të njoftojë me shkrim tatimpaguesin për detyrimet tatimore, lidhur me deklarimin dhe pagesën për TVSH-në. Sipas tatimeve, këta tatimpagues do të ndryshojnë përgjegjësinë tatimore, por do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin “Numër identifikimi të Personit të Tatueshëm”. Tatimet sqarojnë se për tatimpaguesit që regjistrohen për herë të parë, pas datës 1 shkurt 2011 pranë QKR-së, për të ofruar shërbime të cilësuara si profesione të lira, në formularin e regjistrimit do të zgjedhin të jenë të regjistruar për TVSH-në, pavarësisht qarkullimit që parashikojnë të kryejnë. Në fillim të këtij viti, qeveria vendosi të heqë pragun e përfshirjes në TVSH të profesioneve të lira, i cili ishte 2 milionë lekë gjatë vitit që shkoi. Profesionet e lira u përfshinë për herë të parë në pagesë.

Sipas udhëzimit të tatimeve, që në momentin e aktivizimit për TVSH-në, këta tatimpagues do të lëshojnë dhe faturojnë TVSH në faturat që do të lëshojnë për shërbimet që kryejnë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›