E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani, dy milionë e tetëqind mijë dollarë vetëm për qeranë në një godinë dhe kompani të vetme

Pesë vendime për prokurim në dy vite, negociuar personalisht nga Fullani, me të njëjtën kompani dhe në të njëjtën godinë

TemA
Guvernatori i Bankës, Adrian Fullani, ka vetprokuruar përmes një vendimi të muajit gusht 2008, të drejtën për të marrë me qira ambiente për Bankën Qendrore me prokurim te drejtpërdrejtë, duke marrë ofertën e vetëm një kompanie, pa garë, me afat prokurimi deri në 1 vit!

Vlera e këtij vetprokurimi shkon në 6. 000. 000 dollarë(Gjashtë milionë dollarë). Nga këto, pesë milionë dollarë për të blerë një sipërfaqe 1900 metra katrorë dhe një milionë dollarë për të marrë me qira 1800 metra katrorë. I gjithë ky biznes është zhvilluar me të njëjtën kompani dhe në të njëjtën godinë, duke eliminuar fare logjikën ekonomike dhe duke parë vetëm përfitimin personal të biznesit, i cili të lë të dyshosh për një konflikt të pastër interesi.

Vendimi i parë është marrë në shkurt 2010, ndërsa më pas ndryshon vendimin dhe zgjat kohën e prokurimit të drejtpërdrejtë në 24 muaj, pra 2 vjet. Në prill 2010 është marrë vendimi i dytë, i cili ndryshon përsëri vendimin dhe ul vlerën e prokurimit në 5. 500. 000 dollarë.

Në qershor 2010 është marrë vendimi i tretë, i cili ndryshon vendimin përsëri dhe heq dorë nga blerja e ambienteve e lejon prokurim vetëm për qiramarrje!

Në gusht 2010 merret vendimi i katërt, 2 vite fiks nga vendimi bazë, me prokurim të drejtpërdrejtë, në tavolinë. Fullani vendos të merret me qera sipërfaqja 3890 metra katror, në të njëjtën godinë, në të njëjtën kompani që ishte prokuruar dy vite më parë. Vlera e këtij prokurimi shkon 2. 200. 000 dollarë.

Dokumentet e Bankës tregojnë se vlera e plotë e qerasë së paguar për vitet 2009, 2010, 2011, 2012 arrin në 2. 800. 000 dollarë.

E gjithë kjo, sipas deputetit Erion Braçe, bëhet në kulmin e krizës, kur te gjithë po shkurtojnë shpenzimet e luksit. Ky është shembulli tipik i abuzimit me paratë publike, shmangies së garës-konkurrencës dhe shpenzimin e një shume te çmendur, thotë Braçe!

Sipas deputetit socialist, kjo është një arsye e mjaftueshme që Guvernatori të dorehiqet, qoftë dhe për arsyen e vetme se këto shpenzime kanë rrënuar personalitetin e Bankës dhe kanë fyer shoqërinë shqiptare, e cila bën kontrast me luksin e Guvernatorit.



Më shumë nga Politika

Të gjitha ›