Aleanca Kuq e Zi proteston për sistemin hekurudhor, i dhunohen aktivistët
Në fokusin e Aleancës Kuq e Zi këtë herë janë vënë hekurudhat shqiptare. Sipas kësaj force politike në 22 vite qeverisje midis socialistëve dhe demokratëve sistemi hekurudhor shqiptar është çuar drejt degradimit total. Jemi në kushtet kur premtohen tramvaja apo trena elektrik po ajo që kemi sot janë disa trena,shina dhe binarë të shkatërruar. Në këto vite tranzicioni nuk është shtruar asnjë metër hekurudhë. Por për arsye klienteliste ndodhemi në kushtet ku përveç trenave që janë pa binarë,kemi dhe një ekonomi të tillë e cila nuk di se ku shkon thekson AK. Sipas kësaj force politike një nga vendimet me të shpejta të qeverisjes Kuq e Zi do të jetë tenderimi për ndërtimin e një rrjeti hekurudhor modern. Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi janë sulmuar fizikisht të enjten nga persona të paidentifikuar gjatë një proteste që ata zhvilluan pranë Stacionit të Trenit këtu në Tiranë. Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi po lexonin një deklaratë për gjendjen e mjeruar të hekurudhave shqiptare, kur disa persona që ndodheshin aty, sipas dëshmitarëve, punonjës të Hekurudhës nisën të ofendojnë të rinjtë aktivistë. Më pas për disa sekonda situata degjeneroi në përleshje fizike. Nëpërmjet një deklarate për median në lidhje me këtë incident Aleanca Kuq e Zi thotë se “shpreh keqardhjen për polarizimin e shoqërisë shqiptare në blu dhe rozë. Rasti është një pasqyrë dramatike e realitetit që shqiptarët po jetojnë thuhet në vijim të deklaratës, për shkak të urrejtjes së induktuar mes tyre prej forcave politike që për 22 vjet vetëm kanë grabitur pasuritë e shqiptarëve, duke varfëruar ditë pas dite jetën e qyetarëve të këtij vendi.