Sali Berisha emëron këshilltar për turizmin dhe kulturën Ferdinand Xhaferrin
Pas një viti e gjysëm pa punë, më në fund Ferdinand Xhaferraj është i punësuar. Madje, ai është punësuar në një godinë me kryeministrin e vendit, pavarësisht se ai e turpëroi PD-në e Durrësit, pasi humbi me më shumë se katër mijë vota diferencë në zgjedhjet për kryebashiak.
Shpërblimi i Xhaferrit ka ardhur pas një periudhe të gjatë heshtje dhe pas përpjekjesh të shumta që ky i fundit ka bërë për të marrë një post të lartë.
Përfundimisht, Ferdinand Xhaferri është emëruar këshilltari i Berishës për turizmin.
Pikërisht në ditët që sezoni turistik i është afruar fundit, kryeministri, që ka mjaft nuhatje për sezonin tjetër, e ka marrë pikërisht këshilltar, pavarësisht paaftësive që ai ka treguar.
Në verën e ardhshme, Xhaferri nuk ka se kë të këshillojë për cilësinë e diellit dhe aq më shumë për stilet e notit, pasi thuhet se nuk noton mirë, përveçse në vaskë.
Xhaferri fillimisht kërkoi që të bëhej drejtues i KLSH-së, por me gjithë përpjekjet e tij për të marrë bekimin e Berishës, ai nuk mori dot bekimin e Topit.
Më pas ai ju sul SHISH-it, por mesa duket këtu mund ta merrte bekimin e Topit edhe të Nishanit, po nuk mori atë të vetë Berishës, i cili e njeh mirë dinakërinë e tij.
Përfundimisht, kur kanë mbetur edhe tre muaj për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë, Berisha e ka marrë këshilltar për turizmin dhe kulturën Xhaferrain, me të vetmin kriter, që të mos përmend eshtrat e Ismail Qemalit.
