Ja emrat e kandidatëve për kryetar të KQZ-së
Me ndryshimet e fundit për Kodin Zgjedhor, Kuvendi duhet të zgjedh dhe emrat e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mes tyre, kryetarin e institucionit. Javën e ardhshme, do të nis dhe procedura e përzgjedhjes së kandidaturave, ndërsa në korridoret e partive ka nisur të diskutohen emrat potencial, të cilët do të zënë vendin e Arben Ristanit. Mes tyre spikasin juristë të njohur, por dhe ish anëtarë të KQZ-së vite më parë. Disa nga emrat që kanë nisur të përfliten janë; Oerd Bylykbashi, Artan Hoxha, Ilirjan Celibashi, Çlirim Gjata, Kristaq Kume, Fatos Klosi, Spiro Peçi, Xhezair Zaganjori, Klement Zguri etj., por lista pritet të jetë edhe më e gjatë pas 2 shtatorit…
Kreu i ri KQZ-së
Në bazë të ligjit të ndryshuar tashmë, kreu i ri i KQZ-së duhet të marrë konsesusin e palëve që në Komisionin e Ligjeve dhe më pas me shumicë të cilësuar në Kuvend. Zgjedhjet e vitit 2013 do të zhvillohen në një klimë të jashtëzakonshme mungese besimi dhe për këtë kreu i ri i KQZ-së do të duhet të mbajë mbi shpatulla një peshë të rëndë. Që nga koha e Celibashit, i cili zhvilloi një proces ku ndodhi dhe rotacioni politik, dy pasardhësit e tij kanë qenë mjaft të atakuar, ku kulmi arriti me Ristanin, i cili përmbysi dhe rezultatin e zgjedhjeve lokale në Tiranë, në tavolinë, pa vepruar sipas rregullave të lojës dhe pa dhënë shpjegime bindëse ligjore.
A ka figurë konsensuale për KQZ-në…
Posti i kryetarit të ri të KQZ-së duket se do të jetë një mision i pamundur për partitë politike në vend. Nga mënyra se si u zgjodh Presidenti, por dhe kreu i SHISH, duket se për kreun e KQZ-së do të shkohet në grindje dhëmbë për dhëmbë, pasi nga mënyra si funksion sistemi zgjedhor në vend, KQZ ka rol kyç në përcaktuesin e rezultatit.
Topalli: Bllokimi i imunitetit nga PS, për të penguar marrjen e statusit
Topalli: Ramës i ka mbetur topi në rrjetë
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në një konferencë të posaçme për mediat bëri një analizë të punës së kryer gjatë sesionit të mbyllur parlamentar dhe pritshmëritë për sesionin e ri. Për ne rëndësi kapitale ka patur dhe ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij. Ne kemi qenë dhe jemi të vendosur të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për të realizuar qëllimin tonë kryesor heqjen e imunitetit”, kështu potencoi kryeparlamentarja lidhur me projektligjin e mbetur pezull, i cili do mundësonte zhveshjen e zyrtarëve nga imuniteti.
Sukseset e Kuvendit
Kryeparlamentarja Topalli theksoi gjithashtu se në sesionin e mbyllur në 6 gusht janë diskutuar dhe miratuar ligje të ndryshme të reformave të rëndësishme për detyrimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në një pjesë të të cilëve rol kyç ka pasur edhe opozita. Lidhur me projektligjin për heqjen e imunitetin ajo tha se pavarësisht kontributit të komunitetit ndërkombëtar në hartimin e këtij drafti, opozita ishte kundër dhe e bllokoi këtë ligj. Kam qenë e trishtuar se mbyllja e sesionit në 6 korrik u bë përmes një refuzimi apo bllokimi për të votuar një draft të shkruar nga vetë opozita ky ishte një mesazh i keq që nuk i takon asnjë deputeti ta marri përsipër si një qëndrim ndaj një privilegji që kërkojnë ta mbajnë për veten e tyre, por sigurisht që për ne ka rëndësi kapitale, heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij. Jemi të vendosur për të përdorur çdo rrugë kushtetuese për heqjen e imunitetit. Nesër (sot) do mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ka mbetur votimi i ligjit për Gjykatën e Lartë një ligj i cili u premtua të votohej nga opozita, dhe bllokimi i këtij ligji vështirëson vënien në zbatim të ligjit për Gjykatën Administrative. Unë dua që opozita të ndryshojë mendim dhe të votojnë ligjin për Gjykatën e Lartë, u shpreh Topalli.
Akuza ndaj opozitës
Ajo tha se Edi Ramës i ka mbetur topi në rrjetë prej disa kohësh dhe se ka një histori të iniciativave për heqjen e imunitetit që fillojnë në vitin 2003 me iniciativë të PD e cila nuk u pranua kurrë nga PS, në 2005 përsëri nga PD por që Partia Socialiste nuk pranoi, iniciativa në 2007 përsëri nga mazhoranca dhe iniciativë e 2012 përsëri nga Partia Demokratike e vendosur koherente në qëndrimin e saj për heqjen e imunitetit. Topalli theksoi se Partia Demokratike pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për variantin e saj për heqjen e imunitetit, por sërish opozita refuzoi vetë propozimet e saj, por shtoi se në momentin që u pranua edhe vetë amendamenti i PS, ajo tha se bllokimi i 6 gushtit ishte hapur për të bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat. Në mbyllje kryeparlamentarja theksoi se sesioni i ri parlamentar nis me seancën e cila do të mbahet ditën e hënë, më 3 shtator.
Berisha ngatërron nenin 150, Topalli 6 gushtin!
Virusi i ngatërrimit të datave dhe neneve duket se ka prekur të gjithë eksponentët e lartë të mazhorancës. Pas kryeministrit Sali Berisha i cili ngatërroi pak ditë më parë nenin 150 me atë 155 të Kushtetutës është kryeparlamentarja Topalli që bën një lapsus. Në komunikimin e fundit me median ajo ngatërroi datën 6 gusht me 6 korrikun teksa fliste për mbylljen e sezonit parlamentar. “Ka qënë e trishtueshme, pasi mbyllja e sesionit më 6 korrik u bë përmes refuzimit të draftit të kërkuar nga vetë opozita….”- tha Topalli
Imuniteti, Halimi: Referendumi është zgjidhja më e mirë
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka deklaruar se Referendumi për heqjen e imunitetit është zgjidhja inextremis kur nuk ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër. Halimi kujton iniciativat e herëpasherëshme të Partisë Demokratike për heqjen dhe kufizimin e imunitetit që në vitin 2003 dhe shprehet se kjo mazhorancë ka ndjekur politikën e tolerancës me opozitën, e cila vë kushte për ta votuar.
Sipas Halimit, Kushtetuta e parashikon referendumit për ligjet e veçanta dhe heqja e imunitetit është një ligj i rëndësisë së veçantë. Kreu i drejtësisë duke folur për reformën në drejtësi u shpreh se shpreson që opozita me nisjen e sesionit të ri paralmentar të votojë projektligjet e rëndësishme ku përmendi dhe atë për funksionimin e avokatisë. Ministri i Drejtësisë u shpreh se ky projektligj shkurton procedurat dhe shmang zvarritjet e proceseve dhe sjell përmirësimin e performancës së avokatëve. Me ndryshimet në projektligjin e avokatisë tashmë studentët e juridikut do të bëjnë një shkollë për kualifikimin si avokat.