Fullani, harrojini paratë cash

26/02/2005 Bankat duhet të jenë të parat në luftën kundër ekonomisë cash, duke ofruar shërbime nga më të sofistikuarat bankare, për të lehtësuar punët e individëve dhe biznesit. Hedhja në treg e kartave të kreditit dhe debitit, është një hap i mirë për të edukuar qytetarët, që të mos përdorin paratë cash. Bankat po tregohen gjithnjë e më agresive në shërbimet e tyre bankare dhe e gjithë kjo, përveçse rrit klientelën e tyre, është një hap më përpara në luftën kundër ekonomisë cash. Kështu gjatë fjalës përpara bankave të nivelit të dytë dhe biznesit, Fullani ka përmendur shërbimet më të fundit bankare, që orientojnë ekonominë drejt pagesave me kartë. Terminalet POS, ATM, hedhja në treg e kartave më të njohura të kreditit, janë puna e mirë e bankave. Por, ndërkaq, mund të thuhet me gojën plot se, niveli i sistemit bankar është akoma larg standardeve bazë. Arsyet, sipas Fullanit, duhen kërkuar në mungesën e traditës dhe trashëgiminë e varfër në këtë drejtim, por dhe te prania e lartë e ekonomisë informale. “Gjykoj se nga ana e bankave ka vend për një mirëkuptim më të madh me biznesin”, ka thënë Fullani. Sipas Guvernatorit, pavarësisht anëve të veçanta që ka çdo bankë, ato duhet të bashkëpunojnë më shumë nga pikëpamja e infrastrukturave, duke krijuar një rrjet unik, të aftë për të përballuar dhe përdorur me sukses hyrjet në cash në sportelet e tyre. Kështu mund të merret si një shembull pozitiv iniciativa e bankave për krijimin e rrjeteve të përbashkëta të përdorimit të kartave plastike. Por, Fullani ka kujtuar se jo vetëm bankat, por dhe qeveria, duhet të bëjë pjesën e saj të detyrës, në mënyrë që ekonomia cash të reduktohet. “Një sistem pagesash do të mbetet gjithnjë steril, nëse autoritetet nuk do të arrijnë të imponojnë përdorimin e kasave fiskale në faturimin e shitjeve”, ka thënë Fullani. Sipas Guvernatorit, asnjë biznesmen nuk do të inkurajonte klientët e tij të vegjël të përdorin format moderne të pagesave, në rast se ai nuk është i detyruar të përdorë vetë regjistruesin fiskal. “Në rast se do të përdoreshin kasat, do të ishte më e leverdisshme që të ardhurat nga shitja të xhiroheshin drejtpërdrejt në llogarinë e tij bankare, për të minimizuar riskun e mbajtjes së sasive të mëdha cash”, ka deklaruar Fullani. Kështu, kreu i BSH-së ka kujtuar se forma moderne e pagesave ka bonuse pozitive, jo vetëm për bankat dhe biznesin, por dhe për vetë qytetarët. “Tashmë, sportelet e mbledhjes së faturave të energjisë e ujit, të pensioneve si dhe format e pagesave me çantë në dorë, u ka kaluar koha”, ka deklaruar Fullani.