E Hënë, 2 Nëntor 2026

Teknologjia bankare, tani shërbimet do bëhen në internet

26/02/2005  Marrëdhëniet e individëve ose shoqërive me bankën nuk do të jenë vetëm “live”, por dhe on-line. “Internet banking” do të jetë shërbimi më i fundit bankar, me të cilin synohet që klientët të komunikojnë me bankën, pa qenë nevoja të paraqiten në sportelet e saj, për të bërë një pagesë apo transfertë. “Një numër i madh bankash ofrojnë ose janë duke u përgatitur, që brenda një kohe të shkurtër, nëpërmjet ‘internet banking’ të jenë të pranishme dhe në shtëpitë apo zyrat tuaja”, tha Fullani gjatë takimit me biznesin dhe bankat e nivelit të dytë. Kështu, nëpërmjet “internet banking”, kushdo ka mundësinë që duke patur një numër llogarie, të hapë faqen e internetit të bankës dhe, duke përdorur kodin që i ka dhënë banka, të hyjë në llogarinë e vet bankare dhe të bëjë shërbimin që kërkon. Kjo rrugë mund të ndiqet për të bërë të gjitha llojet e pagesave nga faturat e ujit dhe të energjisë, deri tek ato telefonike apo dhe pagesat që shoqëritë i detyrohen të tretëve. Jo vetëm kaq, por duke hapur lirshëm nëpërmjet internetit llogarinë tënde bankare, individët dhe shoqëritë kanë mundësinë të kontrollojnë gjendjen e llogarisë dhe të bëjnë transferta bankare në llogaritë e tjera. Të kryesh vetë operacione bankare nëpërmjet internetit, është forma më e fundit e komunikimit të bankave me klientët e tyre. Në sistemin bankar, kjo konsiderohet dhe si një formë e automatizimit të marrëdhënieve mes biznesit dhe bankave. Zgjidhja më e thjeshtë është përdorimi i “internet banking“, ndërkohë që modelet në këtë drejtim janë të shumta. Ato konsistojnë përgjithësisht në realizimin e investimeve të dyanshme të bankës dhe të shoqërisë në sisteme komunikimi, në program dhe në pajisje, që realizojnë shkëmbimin on-linë të informacionit midis sistemeve të bankës dhe sistemeve të faturimit, të pagesave dhe të administrimit të fondeve të shoqërisë. Për një shoqëri me një numër të madh veprimesh, realizimi i këtyre investimeve është një kërkesë e domosdoshme. Ato duhet të shoqërohen me masa të larta sigurie. Përdorimi i nënshkrimeve elektronike është një ndër praktikat më të përhapura në këto zgjidhje.

Përfitimet e biznesit nga pagesat në bankë

Rritja e planifikimit të mbledhjes së pagesave

Ulja e kostos dhe përmirësimi i kontrollit të mbledhjs së faturave

Përmirësimi i shërbimit të klientelës

Zgjerimi dhe forcimi i marrëdhënieve me bankën

Përfitimet e publikut

Rritja e mundësive të pagesave dhe reduktimi i radhëve

Ulja e nevojës për cash dhe rritja e sigurisë personale

Administrimi më i mirë i ekonomisë informale

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›