E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj, jemi të vonuar me sistemin e pagesave

26/02/2005  Lufta kundër ekonomisë cash ka përfshirë në programin “Përtej parasë” edhe qeverinë, e cila u angazhua që të kalojë deri në mars në bankë të gjithë fondin e pagave të administratës publike. Por deri më sot është bërë e mundur që të kalojnë nëpërmjet sistemit bankar vetëm pagat e 58 mijë punonjësve, nga 110 mijë punonjës që ka administrata publike. “Jemi të vonuar në kalimin e pagave në sistemin bankar, edhe pse kemi tre muaj që ju kemi çuar urdhrin institucioneve për të përzgjedhur bankën”, ka pranuar ministri Malaj në takimin, ‘bankat e nivelit të dytë dhe biznesi’. Sipas Malajt, kanë qenë disa arsyet që kanë vonuar këtë projekt, për të cilin tashmë është vendosur një kufi tjetër, duke shpresuar që deri në qershor, e gjithë administrata t’i bëjë pagesat nëpërmjet bankës. Por, ndërkaq, duket se edhe pse në sistemin bankar paguhen pagat e gjysmës së administratës, sërish nuk është bërë e mundur që të paguhen në kohë faturat e energjisë. “Ne kemi kaluar prej një viti pagat tona në bankë, por duket se akoma bankat nuk janë në gjendje të detyrojnë as klientët e tyre të paguajnë faturën e energjisë”, ka thënë kreu i KESH–it, Andis Harasani. Pretendime për marrëdhëniet me bankat ka patur dhe biznesi, i cili ka kërkuar që, paralelisht, me luftën kundër ekonomisë cash, qeveria duhet të realizojë dhe infrastrukturën e duhur në sistemin tatimor dhe doganor. Kështu, siç është pozitive që mjaft pagesa në bankë, biznesi i bën me telefon, duhet që dhe taksat e paguara të jenë të kompjuterizuara dhe biznesmenëve të mos u duhet të bredhin me fatura nëpër dyert e administratës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›