E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nobelistja Jelinek, me “Pianistja” në shqip

25/02/2005  Shtëpia botuese “Skanderbeg books” ka publikuar dje se do të ketë ekskluzivitetin e botimit të nobelistes për vitin 2004, Elfriede Jelinek. Së shpejti për lexuesin shqiptar pritet të dalë në treg romani i parë i saj "Pianistja".

"Për rrjedhën muzikale të zërit dhe kundër-zërit të saj në romanet dhe dramat, ku me përkushtim të jashtëzakonshëm gjuhësor zbulon absurditetin e klikave shoqërore dhe pushtetit të tyre nënshtrues", ka qenë motivacioni i vlerësimit të autores nga akademia suedeze e Nobelit. Ndërsa ditët e fundit, sipas njoftimit për shtyp, është vendosur që Skanderbeg books do të jetë botuesi shqiptar i autores austriake Elfriede Jelinek, fituesja fundit e Nobel në letërsi, 2004. Shtëpia botuese gjermane Roëohlt Verlag në Hamburg, preferoi mes botuesve të interesuar për të drejtat e botimit të kësaj autoreje, t'ia japë të drejtën ekskluzive në gjuhën shqipe (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, e kudo ku flitet shqip) Vepra e parë në shqip nga Elfriede Jelinek do të jetë "Pianistja" (Die Klavierspielerin), e botuar në origjinal në Gjermani në vitin 1983. Romani është publikuar në shumë gjuhë, madje është ekranizuar dhe është cilësuar si një film i suksesshëm. "Pianistja" pritet shpejt të dalë në qarkullim në libraritë shqiptare, pasi të drejtat për këtë autore në gjuhën shqipe janë dhënë vetëm pak ditë më parë. Shkrimtarja, poetja dhe dramaturgia austriake Jelinek, për shkak të temave të dominimit dhe të nënshtrimit, shpesh esencialisht është parë si shkrimtare feministe, ndonëse në veprat e Jelinek, vartësia e gruas hedh dritë në thelbin e marrëdhënieve të pushtetit, kontrollit dhe manipulimit në shoqëritë klasore.

Tema e seksit, sadizmit dhe autoritarizmit në Austrinë e ditëve të sotme, ekzaminohen me një gjuhë të jashtëzakonshme në romanin "Pianistja". Duke qenë pjesërisht autobiografik, ky roman përshkruan marrëdhëniet dashuri-urrejtje mes nënës dhe vajzës. Ngjarja e romanit ka në qendër Erica Kohut, një mësuese pianoje që jeton me Nënën e saj tirane dhe që ngatërron një nga studentët e saj në sekretet e veta, një mënyrë kjo shkatërruese e jetës. Autorja e përshkruan Erikën si një "grua mashkullore që përvetëson të drejta burri që të kontrollojë, dhe këtë shkak e paguan me jetën e saj. "

Më mendimin e përkushtimi ndaj letërsisë cilësore, ka bërë që Skanderbeg books të ketë një listë të fortë me autorë shumë të njohur në botë, në mes të cilëve edhe katër nobelistë: Coetzee, Grass, Undset dhe Jelinek.

Pas botimit të romanit të parë "Turpi", në mesin e marsit do të dalë në qarkullim romani i dytë i J.M.Coetzee (Nobel 2003), i titulluar "Askund", dhe është duke u punuar me dorëshkrimin e veprës ende të pabotuar të këtij autori "Sloë men". Ky roman do të botohet në shqip njëherësh me botimin e veprës në gjuhën origjinale dhe në gjuhët e tjera, duke i dhënë kështu mundësi lexuesit shqiptar ta ketë në dorë veprën në po të njëjtën kohë me lexuesin e huaj. Së shpejti do të dalë ribotimi i ripunuar i "Turpi", me një koncept të ri grafik. Është procesin e përkthimit edhe vepra e parë e Gunter Grass (Nobel 1999), romani "Macja dhe minjtë" dhe do të vazhdohet edhe me vepra të tjera të autorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›