Fullani, inflacioni kapërcen kufijtë
Banka Qendrore ka sqaruar se, çmimet e larta të dy muajve të fundit kanë ardhur si rezultat i efektit të rritjes së çmimeve të mallrave ushqimorë dhe çmimit të naftës në tregjet botërore, duke shkaktuar rritjen e lehtë të inflacionit në muajin shkurt. Mesatarisht, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni rezultoi 4.0%, duke qëndruar një pikë përqindjeje mbi objektivin afatmesëm për inflacionin. Por, në të njëjtën kohë, banka lajmëron se, me afrimin e stinës së ngrohtë, prodhimi vendas bujqësor pritet të kontribuojë në shtimin e ofertës në vend, duke zbutur presionet e larta të çmimeve të mallrave të importit. Megjithatë, nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, në tregjet e fruta-perimeve, rezulton se çmimet çmenden gati çdo ditë. Sipas tregtarëve, çmimet e javëve të fundit po kërcënojnë drejtpërdrejtë ata, përveç konsumatorëve. Tregtarët shprehen se çmimet në javën e fundit janë rritur deri në 10%. Në tregjet e kryeqytetit, një kg speca kushton 270 lekë, nga 250 që ka kushtuar një javë më parë, një kg bizele 140 nga 120 lekë, një kg kungull 140 nga 120 lekë, etj. Ndërsa për sa i përket frutave, kërkesa për to ka rënë, pasi edhe çmimi i tyre është rritur ndjeshëm dhe ata garantojnë se bëhet fjalë për prodhimin vendas dhe jo atë të importit. Vetëm një kg mollë kushton 150 lekë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, niveli i përgjithshëm i çmimeve (inflacioni) në muajin mars 2011 arriti në 4.3%. BSH nga analizat e saj gjykon se ekonomia e vendit tonë ka vijuar të rritet gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010, dhe nga të dhënat e tërthorta që ajo ka parashikon se edhe tremujori i parë i vitit 2011 ka qenë pozitiv. Në të njëjtën kohë, në terma mesatarë, kjo rritje vlerësohet nga Banka Qendrore të ketë qenë më e ulët se rritja potenciale e ekonomisë, duke sugjeruar se inflacioni në këndvështrimin e kërkesës së brendshme ka qenë i dobët. Sipas të dhënave nga BSH, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni reflektoi rritjen e lartë të çmimeve të disa produkteve ushqimore, rritjen e mëtejshme të çmimeve të naftës, si dhe rritjen e çmimeve të barnave mjekësore. Banka e Shqipërisë, ndër masat e marra për t’iu kundërpërgjigjur këtij fenomeni, rriti normën e saj bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje në fund të muajit mars. Sipas Bankës Qendrore, krahas kërkesës së brendshme, edhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit ka ndihmuar në frenimin e rritjes së mëtejshme të inflacionit. Në të njëjtën kohë, BSH vlerëson se politikat në nxitje të prodhimit të brendshëm, që ulin ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme përbëjnë një domosdoshmëri. Ndërsa, prirja e inflacionit, e zhveshur nga efektet e përkohshme mbi të, ose inflacioni bazë, iu afrua vlerës 3.0%, duke arritur vlera të larta historike. Ky përbërës afatgjatë i inflacionit, sipas BSH-së, tregon se pritjet inflacioniste në ekonomi, megjithëse reflektojnë një vlerë relativisht më të lartë, mbeten brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore parashikon se në të ardhmen, presionet inflacioniste përgjatë kohës kur politika monetare do të veprojë, parashikohen të mbeten të larta, por intensiteti i tyre do të vijë në rënie gjatë vitit.