E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri i akcizave, biznesi në negociata me financat

Biznesi kërkon ndryshime në ligjin për akcizat, që sapo është miratuar në Kuvend dhe ende nuk ka hyrë në fuqi. Floreta Luli-Faber, Drejtore Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, u shpreh dje, se po negociohet me Qeverinë për një ndërhyrje në këtë ligj, si një mundësi për ta korrigjuar, pasi ai dëmton prodhimin vendas. Projektligji në fjalë, që është miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe po ashtu votat e mazhorancës kthyen edhe dekretin e Presidentit, parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Në këtë mënyrë, po ndërrohet sistemi, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar. Ndërkohë që me ligjin e mëparshëm të akcizave, 1 herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre. Ndryshimi thelbësor që i është bërë ligjit konsiston në mënyrën e depozitimit, nga koncensionari tek importuesi jashtë kufijve. Ndërsa Kreu i Shtetit, Bamir Topi ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim këtë ligj, duke mos e dekretuar, me argumentin se ndryshimi i bërë për nenin 24 të ligjit ekzistues, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së sepse sipas tij, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’. Presidenti sqaroi se në vetvete, ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›