Fullani kundër çmimeve, rrit vlerën e lekut
Banka e Shqipërisë në kushtet e një inflacioni të paparashikuar për t’i bërë ballë, sipas saj, rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit, ka përdorur të vetmin instrument në kompetencat e saj, atë të rritjes së normës bazë të interesit prej 0,25 pikë përqindje, duke e çuar normën bazë të interesit 5,25 %. Pavarësisht rekomandimeve të FMN-së dhe deklarimeve të vetë guvernatorit Fullani, që norma bazë e interesit nuk do të ngrihet, merret një vendim i tillë i paparalajmëruar siç ka ndodhur më parë. Rritja e normës bazë të interesit është argumentuar nga guvernatori Fullani me presionet inflacioniste. “Në veçanti, inflacioni i ushqimeve të përpunuara dhe të papërpunuara është përgjegjës për rreth 70 për qind të inflacionit total, ndërsa rritja e çmimeve të administruara kontribuoi me 0.4 pikë përqindjeje në këtë inflacion. Ndikimi i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në inflacion është më i ndjeshëm në vendet në zhvillim, si Shqipëria, ku këto produkte kanë një peshë të konsiderueshme në shportë. Nga ana tjetër, pesha e konsiderueshme bën që rritja e këtyre çmimeve të transmetohet edhe në rritjen e inflacionit bazë, inflacion i cili u rrit në 3.2 për qind në muajin shkurt, dhe të zhvendosë në kahun rritës pritjet inflacioniste në ekonomi”, - tha Fullani gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Ndërkohë që ekspertët argumentojnë se ky është momenti i papërshtatshëm për rritjen e normës bazë të interesit, pasi rritja e çmimit të ushqimeve e si rrjedhojë inflacioni është ndikuar nga tregu ndërkombëtar dhe jo nënçmimi i monedhës kombëtare lek. Pra nuk janë faktorë të brendshëm që kanë ndikuar në rritjen e inflacionit e si rrjedhojë, sipas ekspertëve vendimi i Bankës së Shqipërisë është i gabuar. Sipas tyre, një vendim i tillë do të rëndonte financat e vendit pasi borxhi që qeveria ka planifikuar të marrë në këtë periudhë do të ketë faturë më të lartë financiare. Gjithashtu, ekspertët gjykojnë se me rritjen e normës bazë të interesit do të ulet edhe kreditimi, i cili u raportua edhe nga vetë guvernatori Fullani në rënie. Ai theksoi se rritja vjetore e kredisë në muajin janar shënoi 9.8%, në reflektim të njëkohshëm të kërkesës së moderuar për kredi dhe të sjelljes sezonale të saj në muajt e parë të vitit.
S. Veizaj