Amnistia, qeveria legalizon pronat me 1 % dhe paratë me 3 %
Nëpërmjet një amnistie fiskale, qeveria shqiptare do të legalizojë edhe njëherë pronat e shqiptarëve kundrejt një tarife 1 për qind. Dje, në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha tha se, pallatet e pahipotekuara do të paguajnë 1 për qind të vlerës, në momentin kur janë blerë dhe jo me vlerën e tregut të sotshëm. “Nëse një apartament në 2002 kushtonte 30 mijë dollarë, dhe sot ky apartament, me ndryshimin e kursit, kushton 100 mijë euro, me ligj, ky zotëri duhej të paguante 30 mijë dollarë, me tarifën e amnistisë paguan 1000 dollarë dhe ndodh një legalizim i plotë” - shpjegoi Kryeministri Berisha. Ai tha se, amnistia nuk përfshin pasuritë që janë subjekt hetimi, në përputhje me ligjin antimafia, pra me origjinë nga krimi e trafiqet, si dhe nuk falen pasuritë e krijuara nga zyrtarë apo ish zyrtarë, që janë të fshehura. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm është ruajtja e konfidencialitetit të plotë të të amnistuarve dhe pasurive të amnistuara. Afati për të gjithë amnistinë do të jetë deri më 31 dhjetor të këtij viti dhe përfshin astetët e paregjistruara deri më 31 dhjetor 2010. Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi dje projektligjin lidhur me amnistinë fiskale, përfituesit kryesor të së cilës janë qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur në këtë projektligj, Kryeministri Berisha u shpreh se qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të legalizojnë të gjitha paratë e tyre, kudo që i kanë të vendosura, kundrejt një tarife prej 3 për qind të shumës. Gjithashtu, në ligjin e amnistisë përftimet e qytetarit janë dhe në pronat e paluajtshme. Ata do të kenë mundësi të regjistrojnë pronat e tyre, duke paguar 1 për qind të vlerës. Amnistia që ka ndërmend të marrë qeveria fal të gjitha taksat e tatimet e papaguara, gjobat dhe interesat. “Nga data 31 dhjetor 2010 e më parë, çdo detyrim është i amnistuar”, theksoi Kryeministri Berisha. Një tjetër kategori që prek amnistia është edhe biznesi i vogël i paregjistruar, i cili regjistrohet dhe paguan tarifën 3 për qind. “Falen sigurimet shoqërore për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, gjobat e vendosura para datës 31 dhjetor 2010 dhe paguan tarifën 3 për qind. Falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme. U jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6 për qind. Pra bëhet një amnisti e madhe. Krijohet mundësia e vetëdeklarimeve të të gjitha pasurive për biznesin”, u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje opozitës për të votuar ligjin për amnistinë, si dhe në rast se ka vërejtje e sugjerime të amendojë këtë ligj. Përndryshe, theksoi Kryeministri, do të detyrohemi të operojmë me faljen, e cila nuk ka spektrin e amnistisë. Mirëpo, ndërkohë opozita e ka dhënë mendimin e saj kundër konsensusit për amnistinë, ndaj dhe të interesuarve do t’iu duhet të presin variantin e faljes së thjeshtë që ka një spektër më të kufizuar të përfshirjes dhe përfitimeve. Në amnisti përfshihen edhe falja e detyrimeve të prapambetura, të faturave të energjisë elektrike, ndaj shoqërisë KESH sh.a, Tiranë, nga debitorët familjarë. Lidhur me këtë projektligj, Kryeministri theksoi se pjesa e borxhit e mbetur në shoqërinë KESH sh.a, një shumë prej 380 miliardë lekë të vjetra, apo rreth 400 milionë dollarë, i përket konsumatorëve familjarë dhe, pothuajse, 98 për qind e atyre që i kanë këto detyrime i përkasin shtresave në nevojë. “E vërteta është që detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këta janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash, përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë”, u shpreh Kryeministri. Vetëm për faturat e energjisë, falja përfshin 1400 dollarë për frymë.
Amnistia, ja e gjithë paketa e faljes
-Qytetarët shqiptarë mund të legalizojnë paratë e tyre kundrejt një tarife prej 3 për qind të shumës.
-Pronat amnistohen kundrejt një tarife prej 1 për qind të vlerës.
-Biznesi i vogël i paregjistruar mund të regjistrohet duke paguar një tarifë pre
3 për qind
-Kompanive u jepet mundësia të bëjnë paraqitjen e plotë të pasurive të tyre në bilance kundrejt një tarife 6 për qind;
- Shtetasve që deri në 31 dhjetor 2010 kanë futur automjete në territorin doganor të Shqipërisë dhe nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50 % të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat.
-Falen sigurimet shoqërore për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, gjobat e vendosura para datës 31 dhjetor 2010 dhe paguan tarifën 3 për qind.
-Falen kompanitë me bilance jo të përshtatshme
- Nga falja e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike përfitojnë 270 mijë familje shqiptare që i përkasin shtresave në nevojë.