Qeveria jep pronësinë e banesave për 460 familje në Durrës
Më shumë se 460 familje në qytetin e Durrësit përfitojnë pronësinë në banesat e tyre, pas një vendimi të djeshëm të qeverisë për këtë qëllim. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për kalimin e disa pasurive të ndodhura në zonën kadastrave nr. 8512, të bashkisë së Durrësit, në përgjegjësi të administrimit të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për Entin Kombëtar të Banesave, dhe për një ndryshim në vendimin nr. 536, datë 1.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të bashkisë Durrës”. Bazuar në këtë vendim, Bashkia e Durrësit duhet të fillonte procedurat për privatizimin në emër të banorëve posedues, por tashmë, kur kanë kaluar dy vjet e gjysmë, nga ana e bashkisë nuk ka nisur asnjë procedurë. Nisur nga kjo situatë, kur janë më shumë se 460 familje qytetarësh të pastrehë, të cilët jetojnë në këto ambiente përpara vitit 1992, lind e domosdoshme që në emër të tyre të bëhet privatizimi i këtyre apartamenteve. Ky vendim revokon transferimin e pronave Bashkisë Durrës, duke ia kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, që Enti Kombëtar i Banesave të kryejë privatizimin e këtyre objekteve.