Qeveria shton buxhetin e policisë me 660 mln lekë
Qeveria miraton shtesën e dytë në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e 2011. Këtë herë shtesa shkon për Policinë e Shtetit. Në këtë mënyrë, Kryeministri Berisha ka shpërblyer Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, për punën e bërë gjatë protestave të janarit. Janë 660 mln lekë që i shtohen buxhetit të Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2011. Pas kërkesës që ka bërë ministria, Qeveria vendosi dje në mbledhjen e radhës ndryshimin e vendimit NR.66, DATË 7.2.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Brendshme, për blerje pajisjesh, mjetesh dhe materialesh speciale, në plotësimin e nevojave të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. Sipas ndryshimeve që iu bënë vendimit në fjalë, Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2011, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, iu shtua fondi prej 660 000 000 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për blerje pajisjesh, mjetesh, materialesh të tjera speciale, si dhe për sistemin e monitorimit me kamera të qytetit të Tiranës. Nga ky fond, 634 650 lekë do të klasifikohen, si shpenzime për investime, dhe 25 349 300 lekë, për mallra e shërbime.” Ndërsa ndryshimi tjetër në vendim, parashikon që fondi, prej 660 000 000 lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Kështu në ndryshimet që iu bënë buxhetit të 2011, Ministria e Brendshme përfitoi shtesën e kërkuar prej 280 mln lekësh. Por në ndryshimet që iu bënë buxhetit të 2011-ës, jo të gjithë institucioneve iu miratuan kërkesat për shtesa. Kështu, buxheti i varfër i Shërbimit informativ nuk mundi as në përpjekjen e fundit të marrë edhe 100 milionë lekë të kërkuara për vitin 2011. Kështu, nga kërkesat për shtesa fondesh, Ministria e Financave ka miratuar 475,75 milionë lekë, nga 1,13 mld të kërkuara nga institucionet buxhetore. institucionet e tjera që mbetën në hije të aprovimit të financave për shtesën e mundshme ishin Ministria e Turizmit, Komisioni i Mbrojtjes për Diskriminimin, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Radio Televizioni Shqiptar dhe Avokati i Prokurimeve. Ky institucion kishte kërkuar 60 mln lekë për shpenzime operative dhe 40 mln lekë për investime. Ndërsa Ministria e Brendshme është hera e dytë që përfiton fond shtesë në buxhetin e saj nga buxheti i 2011-ës që do të përballohet nga fondi rezervë.