E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani liron tregun e kredisë

Pas shumë presionesh nga publiku i gjerë, ndikuar edhe nga manovrat e bankave qendrore nëpër botë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dha miratimin për uljen e normës bazë të interesit, duke e bërë atë 5.75 për qind. Ulja u mor dje në masën 0.50 për qind nga Këshilli Mbikëqyrës i bankës, me justifikimin se stabilizimi i çmimeve dhe inflacioni janë nën kontroll. Në fakt, ajo që ka detyruar më tepër BSH në manovrën e saj të fundit lidhet me mungesën e likuiditetit nga ana e bankave. Kredia në 6 muajt e fundit regjistroi nivele rënëse, ndërsa kriza ekonomike po jepte shenjat e para në Shqipëri. Vendimi i djeshëm detyroi guvernatorin të dilte para mediave të jepte sqarimet për uljen e interesit. Në fjalën e tij, guvernatori paraqiti garancinë e bankave tona në drejtim të depozitave, si dhe nuk përjashtoi mundësinë e rritjes së sigurimit të kursimeve.

"Në qoftë se keni ndjekur me kujdes deklaratat e tremujorëve të fundit të Bankës së Shqipërisë, brenda tyre është e shprehur qartë qëndrimi i ardhshëm i politikës monetare të saj. Ne mendojmë që masa prej 0.50 pikë përqindjeje është masa e duhur, e cila do të japë stimulin përkatës për një nxitje të ekonomisë shqiptare dhe për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit", tha Fullani.

Efektet

Ulja e normës bazë të interesit për lekun do të japë rezultatet e para pozitive në drejtim të lehtësimit të kredive. Bankierët pranojnë se efektet do të jenë të shpejta, pasi deri tani është punuar me kushte shtrënguese të politikës monetare. Për Bankën e Shqipërisë është e hera e parë ulja në masën 0.50 për qind, kur gjithnjë ndryshimi është bërë me 0.25 për qind. Për guvernatorin, 0.50 përqindëshi është masa e duhur, nisur nga faktorët pozitivë të zhvillimit ekonomik të vendit, bilancet e bankave, zhvillimet e tregut të këmbimeve valutore dhe të tregut të parasë. Qëllimi i BSH-së mund të tkurret nga presionet e inflacionit, i cili lëviz gjithnjë në rast të rritjes së ofertës nga bankat. "Ne do të jetë mjaft e kujdesshme, duke pasur në krye të punës së saj sigurimin e të gjitha kushteve dhe premisave për një kontroll të inflacionit", garantoi Fullani.

Situata

Sipas të dhënave zyrtare, BSH konstaton se aktiviteti ekonomik i vitit 2008 është zhvilluar përgjithësisht në linjë me parashikimet e fillimvitit, si për sa i përket rritjes ekonomike ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së balancave makroekonomike. Duke vepruar brenda të gjithë parametrave të shëndetit financiar, sistemi bankar shqiptar është treguar dinamik dhe efektiv në kanalizimin e kursimeve të ekonomisë drejt financimit të aktiviteteve prodhuese të firmave apo konsumit të qytetarëve. Mesatarja e inflacionit gjatë vitit 2008 ishte 3 për qind, nivel ky i synuar nga BSH-ja. Gjatë vitit 2008, politika monetare ka qenë neutrale dhe norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 6.25 për qind. "Së bashku me forcimin e disa masave të mbikëqyrjes bankare në drejtim të administrimit të rrezikut të kredive, kjo politikë ka ndikuar në një rritje më të balancuar të kredisë dhe ka përcjellë stimujt e duhur për konsum e kursime", tha Fullani.

Ecuria e treguesve monetarë gjatë gjysmës së dytë të vitit rezulton përgjithësisht e qëndrueshme, ndonëse shfaq shenja ngadalësimi të ritmeve të rritjes të depozitave dhe të kredive, gjatë tremujorit të fundit. Në terma relativë, ky ngadalësim ka prekur një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare, por pa prekur treguesit e shëndetit të sistemit bankar dhe aftësinë paguese të tij. Këtë moment, guvernatori e quajti të mbyllur për bankat, pasi qëndrueshmëria e depozitave në banka erdhi në rritje. "Sjellja e depozitave në vendin tonë krahasuar me ato të mjaft vendeve të tjera sidomos me ato të rajonit ka qenë e pëlqyeshme. Mendoj që të gjitha masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë qenë efektive", tha kreu i BSH-së.

Kriza

Ndikimi i krizës botërore në ekonominë shqiptare do të varet si nga intensiteti, ashtu edhe nga kohëzgjatja e saj. "Siç e kam përmendur edhe më parë, kanalet të cilat ekspozojnë më shumë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror janë rënia e prurjeve valutore, si të natyrës korente ashtu dhe kapitale, dhe shtrëngimi i kushteve të financimit në përgjithësi", nënvizoi guvernatori në fjalën e tij.

Qëndrimi

"Banka e Shqipërisë, në bazë të analizave, vrojtimeve dhe fakteve të mbledhura, vërtetoi se muaji janar krijoi premisat për më shumë hapësirë manovrimi, duke nënkuptuar ndryshimin e kahut të politikës monetare drejt zbutjes së normave të interesit. Vendimi që sapo shpalla, ndërmjet të tjerash, do të ulë koston e huamarrjes së bankave"

Reagimi

Biznesi: Vendimi

zbut kreditimin

Bizneset industrialiste mbështesin vendimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit për monedhën kombëtare si hap i nevojshëm për kalimin drejt kahut zbutës të politikave monetare nga banka. Njëkohësisht, Konfindustria thekson domosdoshmërinë e marrjes së masave të duhura nga BSH-ja, që vendimi për uljen e normës së interesit për lekun, të pasqyrohet në zbutjen reale të kredive në procesin real të kredidhënies nga bankat të nivelit të dytë për bizneset, si dhe forcimin e rregullave të bankës bashkëlidhur me kontrollin e zbatimit të tyre për rritjen e detyrueshme të cilësisë tashmë të pakënaqshme të nivelit të "kredive të këqija" ndaj portofolit të përgjithshëm të kredive nga bankat e nivelit të dytë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›