Ruli: "AMRA Oil" duhet të bëjë pagesat
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i ka kërkuar dje kompanisë "AMRA Oil" të kryejë pagesat e punonjësve të shoqërisë ARMO, që dalin të papunë, si pasojë e ristrukturimit, sipas trajtimeve që parashikohen nga Kodi i Punës. Që nga muaji korrik 2008, punonjësit e ARMO-s, të prekur nga reforma e privatizimit të ndërmarrjes, nuk kanë marrë pagesat që lidhen me asistencën. I gjithë fondi është rreth 3 milionë dollarë për 606 punonjës, por qeveria dhe kompania që ka blerë ARMON-n nuk kanë gjetur gjuhën e duhur për dhënien e pagesave. Ministri Ruli pretendon se në marrëveshje me "AMRA Oil", gjatë fazës së privatizimit është rënë dakord që pagesat do t‘i kryejë kompania fituese e tenderit, pra ajo që blen ARMO-n. Ndërsa drejtuesit e kompanisë kanë qëndrim të kundërt. Ata shprehen se reforma është kryer para se ata të merrnin drejtimin e ARMO-s. "Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes i qëndron mendimit që kjo pagesë duhet të kryhet menjëherë nga shoqëria dhe të reflektohet në bilancin financiar të vitit 2008", tha ministri Ruli.