Siguria ushqimore mbledh ministrat në Madrid
Pak ditë më parë në Madrid u zhvillua takimi i nivelit të lartë për sigurinë ushqimore. Në këtë takim, në të cilin morën pjesë ministrat e Bujqësisë të shumë vendeve të botës, u analizua progresi i bërë në vijim të zbatimit të objektivave të Samitit të Romës, të qershorit të vitit 2008. Në takim u diskutua për prioritetet dhe veprimet që duhet të ndërmerren për realizimin e objektivave afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe u morën angazhime për arritjen e objektivave për reduktimin e urisë dhe varfërisë, si dhe sigurisë ushqimore. Në përfundim të takimit, nga të gjithë ministrat, u ra dakord për mbështetjen dhe rikonfirmimin e konkluzioneve të Samitit të Romës, për zbatimin e politikave dhe veprimeve imediate dhe afatgjata për sigurinë ushqimore, për bashkëpunimin midis vendeve në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore dhe identifikimin e potencialeve për rritjen dhe përmirësimin e efektshmërisë së kontributeve financiare në këtë fushë.