Shqipëria, me rënie të rritjes ekonomike në 2009
Për Shqipërinë Banka parashikon një rritje jo 5%, por 4%. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, këshilltar i Kryeministrit, i tha BBC-së se nuk është sekret se edhe Shqipëria ka filluar të ndiejë pasojat e krizës globale, të cilat ende nuk dihet se si do të jenë në të ardhmen. "Për shkak të pasigurive akoma shumë të mëdha, akoma nuk mund të flasim me siguri nëse dhe ky parashikim i fundit i BERZH, do të jetë final apo jo", tha Xhepa. Sipas tij, kryesisht në tregjet e mallrave industrialë primarë, në të cilat Shqipëria është një eksportues, efektet kanë filluar tashmë të vërehen. Po ashtu, rënia e çmimeve në tregjet e mineraleve dhe disa produkteve që janë artikuj të rëndësishëm të eksportit shqiptar, për rrjedhojë ritmet e rritjes së eksporteve, kanë rënë në nivele realisht të dukshme. "Sidoqoftë, unë nuk besoj se kemi të bëjmë me rrezik vërtet eminent që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion", tha këshilltari i Kryeministrit. Duke folur për pasojat e krizës, Xhepa mbetet optimist se Shqipëria ia ka kapacitetet e duhura për të dalë jo shumë e përfshirë nga rënia ekonomike. "Siç shikohet, pavarësisht nga pesimizmi që mbizotëron, përsëri ekonomia shqiptare vazhdon të ruajë dinamika mjaft pozitive dhe duhet konsideruar që dha një shifër në 4% në rritje reale vjetore, siç paraqitet në raportin e BERZH, besoj që është një rritje realisht impresionuese, duke pasur parasysh që kemi një recesion tashmë mbarëbotëror", shtoi në fund Selami Xhepa.
Nga ana tjetër, opozita thotë se qeveria nuk e ka konsideruar krizën si një çështje kombëtare dhe nuk ka qenë e hapur për bashkëpunim. "Qeveria deri tani ka qenë më tepër egoiste, për ta injoruar ekzistencën e krizës dhe duke pasur një qëndrim të tillë, ajo ka lënë shumë pak hapësira për të diskutuar", tha Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverisjen socialiste.