Fulle: Duhet kohë e gjatë për liberalizimin e vizave me Kosovën
Diplomati çek, Shtefan Fulle, i propozuar nga Hoze Manuel Barrozo për komisioner për Zgjerimin, ka deklaruar se do të angazhohet për një dialog të strukturuar të liberalizimit të vizave me Kosovën. Duke folur dje në Parlamentin Europianai, ai tha se, nëse caktohet në këtë post dhe konfirmohet nga Parlamenti, do të bëjë ç’është e mundur që asnjë vend i rajonit të Ballkanit të mos mbetet mënjanë në integrimin në bllok dhe se ai vetë do të angazhohet për të gjithë vendet. Sa i përket Kosovës, Fulle tha se dialogu eventual për vizat do të jetë afatgjatë dhe se do të duhet një kohë shumë e gjatë për të arritur deri te qëllimi i liberalizimit të vizave edhe me shtetin e ri. Fulle iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Parlamentit Europian, ashtu si të gjithë komisionerët e tjerë të propozuar që përballen me seancat dëgjimore përpara ligjvënësve europianë. Siç edhe është praktikë në Bashkimin Europian, në fund të këtyre seancave, rreth datës 26 janar, Parlamenti Europian do të votojë për ekipin e Komisionit të ri Europian. Nëse kalon, atëherë ky komision me këtë përbërje do të ketë një mandat pesëvjeçar. Shtefan Fulle u pyet për Kosovën nga disa deputetë dhe kryesisht për liberalizimin e vizave, por edhe për faktin se a mund të integrohen në Bashkimin Europian Kosova dhe Serbia pa i normalizuar raportet mes tyre. Fulle u mundua që t’i evitojë përgjigjet direkte në pyetje, natyrisht për të tentuar që të mos irritojë askënd në Parlamentin Europian. Sa i përket statusit të Kosovës, ai tha se tashmë çështja e statusit është duke u diskutuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, ndërsa, siç u shpreh ai, “në BE nuk kemi unitet ideal rreth statusit të Kosovës, prandaj duhet të vazhdojmë në këto rrethana, të punojmë me atë që kemi, për të angazhuar Kosovën në raporte me BE-në”. Ai shtoi se, fakti që Kosova mund të vazhdojë procesin e afrimit me BE-në, është shumë i rëndësishëm dhe se në këtë drejtim ajo mbështetet nga të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Sa u përket pjesëve të tjera të rajonit të Ballkanit, Fulle tha se do të vazhdohet procesi i zgjerimit të BE-së, por insistoi se BE nuk do të pranojë kurrfarë afatesh kohore. Afatet e integrimit në BE për secilin shtet do të varen vetëm nga mënyrase si ato i përmbushin kriteret. Ato shtete që do t’i përmbushin kriteret strikte, do të mund të llogarisin në anëtarësim në BE, ka thënë Fulle, duke insistuar se BE-ja ka nxjerrë mësime edhe nga e kaluara dhe ato do t’i përdorë. Fulle po ashtu tha se procesi i zgjerimit të BE-së është një ndër proceset më të suksesshme në historinë e Bashkimit Europian, prandaj ky proces duhet të vazhdojë.
Serbi, kërkohet referendum për anëtarësimin në NATO
Rreth 200 intelektualë serbë i kanë drejtuar një kërkesë Kuvendit të Serbisë, që të shpallë referendum lidhur me anëtarësimin ose jo të Serbisë në NATO. Mes nënshkruesve të kërkesës janë edhe nga lideri i Partisë Demokratike Serbe, Vojisllav Koshtunica, ideologu i njohur si “babai i kombit serb”, Dobrica çosiç, regjisori Emir Kusturica, shkrimtari Momo Kapor etj. Gjatë një konference për shtyp dje në Beograd, organizatorët e kësaj iniciative theksuan se “një vendim me një rëndësi të tillë duhet marrë nga qytetarët dhe jo nga partitë politike, ose individë të caktuar”. Pas bombardimeve të vitit 1999, NATO është konsideruar nga serbët gjithmonë si një armik, pavarësisht se bombardimet u kryen për të ndaluar spastrimin etnik të Kosovës, që u orkestrua nga lideri i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç dhe besnikët e tij. Megjithatë, kohët e fundit, ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, nuk e ka përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Serbisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke mbrojtur tezën se NATO “është rruga e natyrshme drejt Europës”. Forumi për Siguri dhe Demokraci (FSD) e ka quajtur këtë kërkesë ofensivë antieuropiane dhe antiserbe. “Kërkesa është hipokrite, e pandershme dhe hap i rrezikshëm, që fton popullin serb në greminë të re”, theksohet në një komunikatë të Forumit, në krye të të cilit është gjenerali në pension, Ninoslav Kërstiç. “Gënjejnë se NATO e ka okupuar Kosovën, meqë në Kosovë ka ardhur në krye të forcave ndërkombëtare, në të cilat ishin edhe ushtarët rusë, me pëlqimin e Serbisë dhe sipas vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB”, thuhet më tutje në komunikatë.